
Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës për armëmbajtje pa leje. Mësohet se i riu i cili ishte në 'arrest shtëpiak' u ndalua në në lagjen “Pavarësia”, teksa lëvizte i armatosur me automjetin e tij tip ‘Benz’.
Në pranga ka rënë edhe një 36-vjeçar, pasagjer në makinën e 22-vjeçarit. Ai akuzohet për moskallëzim krimi. Arma e zjarrit tip “Zastava”, u sekuestrua nga policia si provë materiale.
"Në vijim të punës intensive për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe ndalimin e shtetasve që shmangin detyrimet ndaj masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata, Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Befasia”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sh. Z., 22 vjeç, banues në Selenicë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
M. D., 36 vjeç, banues në Selenicë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Shtetasi Sh. Z., i cili ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u kap në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “Mercedes Benz”, ku pasagjer ndodhej edhe shtetasi M. D.
Gjatë kontrollit të shtetasit Sh. Z., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë të markës “Zastava”", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje