
Një operacion i gjerë i Policisë Kombëtare spanjolle ka çuar në çmontimin e një organizate kriminale që, sipas autoriteteve, merrej me kultivimin e marihuanës në ambiente të mbyllura ("indoor") në disa zona të Komunitetit të Valencias.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan 14 persona, ndërsa policia sekuestroi rreth 3.000 bimë marihuane, 12.000 fidanë, 30 kilogramë sytha të gatshëm për shpërndarje, 87.800 euro cash, 11 gramë kokainë, dy armë me ajër, automjete dhe pajisje të përdorura për kultivimin e drogës. Për tre prej të arrestuarve u vendos masa e paraburgimit.
Sipas Policisë Kombëtare, hetimet nisën në muajin janar, pasi u identifikuan disa shtetas shqiptarë që transportonin pajisje të destinuara për ndërtimin e plantacioneve "indoor" në zonën e Xirivellas.
"Hetimi nisi në muajin janar, pasi u zbuluan disa shtetas shqiptarë që transportonin pajisje për instalime indoor në Xirivella", thuhet në njoftimin e Policisë Kombëtare.
Autoritetet spanjolle deklarojnë se gjatë hetimeve u zbulua se grupi përdorte automjete me qira, të cilat i ndërronte vazhdimisht, ndryshonte personat që kujdeseshin për plantacionet dhe lëvizte shpesh nga Murcia drejt Gironës për të zgjeruar aktivitetin kriminal.
Sipas policisë, drejtuesit e organizatës jetonin në vila në zona me standard të lartë jetese, ndërsa personat që ruanin plantacionet banonin në kushte të vështira pranë qendrave të prodhimit.
Hetuesit pretendojnë se fraksioni shqiptar kishte krijuar një aleancë me një grup shtetasish spanjollë me precedentë penalë për trafik droge.
"Të dy grupet, me një ndarje të qartë rolesh, kishin krijuar një lloj 'joint venture' kriminale – një bashkëpunim strategjik për të bashkuar burimet, teknologjinë dhe kapitalin, me qëllim maksimizimin e fitimeve dhe ndarjen e rreziqeve e kostove", thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë hetimeve u lokalizuan disa ambiente të përdorura për kultivimin dhe magazinimin e drogës, përfshirë një magazinë industriale në Benifaió, një depo në Llíria, dy banesa në Benaguasil dhe një vilë në Alginet.
Policia bëri të ditur se gjatë fundjavës së 4 korrikut, në plantacionin e Llírias ndodhi një grabitje droge mes grupeve rivale, ku dyshohet se u përdorën armë zjarri. Në vendngjarje u gjetën 450 bimë marihuane me peshë rreth 380 kilogramë, si dhe gëzhoja municioni 9 mm.
Për shkak të rrezikut të arratisjes së të dyshuarve dhe përshkallëzimit të konfliktit mes grupeve rivale, autoritetet vendosën të ndërhyjnë menjëherë, duke zhvilluar shtatë kontrolle të njëkohshme.
Sipas Policisë Kombëtare, gjatë operacionit u çmontuan tre plantacione "indoor", mes tyre edhe një super-plantacion me teknologji të avancuar, ku u zbuluan 2.763 bimë marihuane në fazë të avancuar kultivimi.
Të 14 të arrestuarit u dërguan para autoriteteve gjyqësore dhe akuzohen për trafik droge, vjedhje të energjisë elektrike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Njëri prej tyre rezultonte me një urdhër të mëparshëm gjykate për ekzekutimin e një dënimi me burg.
Lini një Përgjigje