Kronike24 Shkurt 2024, 20:56

“Vajzat s’i linte as në dyqan”, gruaja e Pëllumb Metës: Kishim frikë, mbante armë

Shkruar nga Pamfleti

“Vajzat s’i linte as në dyqan”, gruaja e Pëllumb

Gruaja e Pëllumb Metës, 50-vjeçarit i cili u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij, ka treguar detaje nga ngjarja e rëndë. 

Bashkëshortja tha se dhuna në familje mund të jetë arsyeja pse fëmijët ndërmorën një akt të tillë. Ajo theksoi se 50-vjeçari ishte një person shumë autoritar dhe i dhunshëm, ku askush nuk guxonte t’i kthente fjalën.

Sipas saj, vajzat janë rritur nën një trysni të jashtëzakonshme ku detyroheshin të mbanin kokën ulur dhe të mos flisnin as me komshinjtë. Madje ajo shton se ato nuk mund të shkonin as në dyqan për të blerë diçka.

Duke qenë se ishte i dhunshëm dhe i armatosur, gruaja tha se të gjithë kishin frikë për jetën.

“Vajzat s’kanë guxuar të dalin njëherë në derë vetëm. As në dyqan, asgjëkundi, njësoj si unë të shtypura. S’bëhet fjalë të flisnin me komshinjtë, gjithmonë kur ecnin kokën përtokë. Shkonin vetëm në shkollë dhe në shtëpi. Tani me një njeri që të dhunon dhe të kërcënon për jetën, padyshim që do kishin frikë dhe fëmijët. Ai kishte armë, pasi punonte roje, frikën ia kishim që të gjithë ndaj arriti kjo punë deri këtu. Një njeri që është agresiv, i dhunshëm, autoritar dhe i armatosur, është normale që ia ke dhe frikën”, tha ajo.