Gjykata e Korçës ka dhënë masat e sigurisë për të akuzuarit e vrasjes së 14-vjeçarit Erald Xhejo në fshatin Pirg të Maliqit.
Mësohet se gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për autorin e mitur Enedio Guri, babanë Edison Guri dhe xhaxhanë e tij, Ronald Guri. Ndërkohë për 4 të miturit e tjerë është dhënë masa “detyrim paraqitje” nën mbikëqyrjen e prindërve.
Avokati i autorit të krimit tha se autori shprehu pendesë. Ai u shpreh se 14-vjeçari Enedio Guri tha se "nuk doja të kishte këtë pasojë, se dija që veprimet e mia do krijonin këtë pasojë, shpreh ngushëllimet për familjen".
“Shpreh ngushëllimet për humbjen e familjarëve. Gjykata vendosi që autori të caktojë masën arrest në burg. Kjo pasojë e krijuar nga konflikt i çastit, edhe pse fëmijë, gjykata vlerësoi të vlefshëm arrestit, edhe për babain E. Guri, po ashtu edhe për xhaxhain. Të miturit e tjerë, gjykata vendosi jo të ligjshëm arrestimin, por vendosi mbikëqyrjen nga prindërit dhe paraqitjen para gjykatës. Autori shprehu pendesë. Tha nuk doja të kishte këtë pasojë, se dija që veprimet e mia do krijonin këtë pasojë, shpreh ngushëllimet për familjen. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe babai i të miturit duke thënë se na vjen keq për pasojën”, tha avokati i autorit 14-vjeçar.
Tetë persona u arrestuan lidhur me ngjarjen tragjike në Maliq, ku mbeti i vrarë një adoleshent 14-vjeçar.
Në pranga ra bashkëmoshatari i viktimës, 14-vjeçari autor i dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet. Bashkë me autorin u arrestuan babai dhe xhaxhai i tij pasi fshehën mjetin prerës, me të cilin u krye krimi.
Po ashtu, u prangosën 4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës, një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.
Policia sekuestroi mjeti prerës (thikë), automjetin me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:
-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia më herët.
Lini një Përgjigje