
Disa të rinj janë shoqëruar në polici, pasi dyshohen si të përfshirë në vrasjen e 23-vjeçarit shqiptar në Peruxhia. Hekuran Cumani u godit me thikë në gjoks në një parking pranë universitetit.
Sipas mediave lokale, të rinjtë u morën menjëherë në pyetje në stacionin e policisë dhe u përfaqësuan nga avokatë. Shkaku i përleshjes mbetet ende i paqartë. Ngjarja shpërtheu pas një feste në një klub pranë vendit ku i riu u gjet i vdekur.
Si ndodhi krimi?
Hekuran Cumani, së bashku me vëllain Samuel dhe disa miq të tjerë, ishte nisur nga Fabriano, në rajonin e Markes, siç ndodhte shpesh, për të kaluar mbrëmjen në Perugia. Dy grupet, gjithsej rreth njëzet persona, u përleshën fillimisht brenda në bar për çështje të parëndësishme, një shikim ose një fjalë tepër pastaj jashtë, rinisën një debat që dukej se ishte shuar, rreth orës 4 të mëngjesit, pasi festa kishte mbaruar.
Pikërisht aty dolën në pah dy thikat, një më e madhe dhe një më e vogël, sipas dëshmitarëve në duart e të njëjtit djalë, një i ri tunizian, i cili fillimisht e ka plagosur lehtë Samuelin dhe më pas iu vërsul Hekuran Cumanit, duke e goditur me një thikë në kraharor, goditje që i rezultoi fatale.
Vrasësi mund të ketë mbërritur në një moment të dytë ose t’i ketë marrë thikat nga një makinë, pasi në hyrje të lokalit kalohen nëpër një detektor metalesh dhe për këtë arsye brenda nuk dukej të kishte armë. Nga thika, megjithatë, nuk ka asnjë gjurmë. Gjatë arratisjes, vrasësi dhe grupi i tij e kanë marrë me vete.
Lini një Përgjigje