
Të tjera detaje zbardhen mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Shkodër, ku mbeti i vrarë 34-vjeçari, Kristian Kola. Viktima u qëllua me disa plumba, që e kapën në gjoks, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Dyshimet janë se autorët janë vrasës me pagesë, ndërsa kur kanë kaluar pothuajse 12 orë nga krimi, ende nuk janë gjetur gjurmë të personave të dyshuar.
Me skafandra në kokë, të veshur me të zeza, autorët kanë vepruar duke përdorur një motor, ndërsa 34-vjeçari ndodhej në ambientet e jashtme të një lokali në zonën e kinemasë në kryeqendrën e veriut.
Sipas raportimeve, viktima ishte në praninë e personave të tjerë, ndërsa ndaj Kristian Kolës, u qëllua në momentin kur ai ka shkuar të marrë makinën.
Nga hetimet paraprake rezulton se ndaj viktimës është qëlluar me armë me silenciator.
Policia ka dyshime se motori me të cilin lëvizën autorët e kanë ndjekur para dy netësh në zonën e Bardhajve, por pa arritur që ta bllokojnë, raporton News24.
Grupi hetimor po verifikon nëse mjeti është i njëjti apo jo edhe pse hetuesit flasin për një tjetër motomjet në këtë ngjarje.
Viktima ishte një person që lëvizte lirshëm në Shkodër gjatë gjithë ditës dhe nuk ka patur precedent të mëparshëm kriminal. Bashkë me babanë e tij kishin një firmë ndërtimi dhe sëfundmi po bënin shtrimin e pllakave në rikonstruksionin e Kinemasë në Shkodër.
Grupi hetimor vijon punën bashkë me prokurorinë për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shkodër.
Lini një Përgjigje