
Kantauori Gjergj Leka është një prej atyre artistëve që ka kritikuar festivalin e 62-të në RTSH. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ai e konsideron këtë event muzikor si amator, pa diksion e pa kurrfarë etike skenike.
Ai ndër të tjera fton dhe të gjithë producentët dhe kompozitorët të bëhen bashkë për të diskutuar për një Festival të ri.
Reagimi i plotë
Miq të nderuar e kolegë profesionistë. Shikoj që një shumicë po shpërthen në rrjetet sociale në lidhje me nivelin e ulët të festivalit të fundvitit. Të mos harrojmë që ky është një festival kombëtar (shtetëror) ku të gjithë ne jemi “producente” nëe momentin që e paguajmë taksën e R.T.SH. gjithë vitin. Gjithashtu paralelizmat me San Remon dhe megallomania e postimeve në rrjetet sociale nga RTSH që ky festival do të ishte më i miri i të gjithëve, janë qesharake. Më vjen shumë keq, sidomos që një orkestër e mrekullive si ajo e RTSH si dhe disa profesionistë që punuan për festivalin, me gjithë punën e tyre shembullore, kësaj here nuk arritën t’i mbulonin banalitetet qe u panë në festival. Nga t’ia nis më parë…Përveç tre-katër materialeve që mund të quhen këngë/ (por edhe këto te interpretuara jo mirë në shumicën e rasteve) pjesa dërmuese e këngëve ishin shkruar nga amatorë dhe interpretimet ishin si te këndosh në një karaoke…Nën petkun e “promovimit të talenteve të reja” u futën në festival ata që i pëlqenin organizatorëve e jo ata të rinj që e meritonin vërtet.
Interpretimet gjithë maniera, pa diksion e pa kurrfarë etike skenike mbizotëruan në netët finale. Po skenografia?…Mjafton që dikush të jetë italian dhe patjetër është GJENI!…Duke pasur shqiptarë që ky italiani Cane me mbiemër, i sheh targën! Prezantimi?? Amatoresk në kulm! As te lexonin në ekran nuk dinin…Po humori?…Zef Deda e Mirush Kabashi do të jenë kthyer përmbys… Po autorët e vërtetë të këngës ku ishin?
Përveç një Kledi Bahiti, Enrico Melozzi (se kënga ishte më shumë e tij se kishte skadencat e këngës së një viti më parë), Tiri Gjoci e tingëllimet puro shqiptare të Anduel Kovacit (që si gjithmonë nuk u vlerësua) për çfarë u shquan këngët e këtij festivali? Këngëtarë interesantë e me perspektivë si Luani pse u eliminuan? Pastaj vijmë tek juria që kësaj radhe me la me gojë hapur….Si mundet Shpëtim Kushta, Zana Shuteriqi, Helena Kadare, etj të vlerësojnë me çmim të parë një këngë që nuk mund të quhet as eksperiment?? Kur në natën e tretë u interpretuan këngët e vërteta shqiptare edhe pse me shumë mungesa të ikonave të këngës, a e bëtë ndopak çfarë diference kishte ajo natë me këngët e festivalit??
Kam akoma shumë për të folur, por mendoj se kësaj situate antivlerash e megallomanësh i duhet dhënë përgjigja e duhur. Është e kotë të ulërasim rrjeteve sociale por duhet të mblidhemi konkretisht e t’i japim përgjigjen që meriton me të njëjtën monedhë: TË RISJELLIM NJË TJETËR FESTIVAL! Po i bëj një thirrje publike mjeshtrave të këngës që në fillim të janarit të mblidhemi e të diskutojmë bashkërisht se e kemi detyrë morale e respekt për të gjithë ata që na duartrokitën vite me radhë. Ndërkohë po përmend disa prej miqve artistë duke i ftuar në këtë takim. Për sa i përket fondeve që nevojiten, edhe nëse nuk na ndihmojnëe institucionet shtetërore, do t’i gjejmë nga privati, nga miq me kulturë e artdashës. Ftoj në bashkëbisedim:
ZEF ÇOBA
NAIM GJOSHI
LUAN ZHEGU
ADRIAN HILA
FLORI MUMAJESI
KLEDI BAHITI
ENVER SHENGJERGJI
ELGIT DODA
HAJG ZAHARIAN
ENDRI SINA
PIRRO ÇAKO
DIANA ZIU
ENDRIT SHANI
SAIMIR ÇILI
ILIR SHAQIRI
OSMAN MULA
VLADIMIR KOTANI
ALEKSANDER PEÇI
REDON MAKASHI
EDMOND ZHULALI
ELTON DEDA
VALENTIN VEIZI
JOSIF MINGA
SPARTAK TILI
GAZMENT MULLAHI
LIMOS DIZDARI
KLODIAN QAFOKU
ALEKSANDER GJOKA
TIRI GJOCI
ANDUEL KOVAÇI
Datën e saktë, vendin dhe orarin do t’jua komunikoj privatisht. Kush dëshiron të jetë prezent si autor këngësh ose poezish mund të më kontaktojë në mesenxher. Kjo është përgjigja më e mirë që mund t’i jepet antivlerës,mediokritetit e megallomanisë. Ia kemi borxh publikut fantastik shqiptar!
P.S. Ky komunikim vlen vetëm për publikun artdashës e kolegët e vërtetë të këngës. Dua t’i them mediave të ndryshme që nuk do të marr pjesë në asnjë diskutim në studio sepse koha e fjalëve ka mbaruar…
Lini një Përgjigje