TAGS-AT E JAVËS

Kulture26 Shkurt 2025, 13:26

Mjekësi, shkëlqimi dhe rrënimi i kombinatit të eksplozivëve që ngritën specialistët suedez

Shkruar nga Afrim Imaj

 Mjekësi, shkëlqimi dhe rrënimi i kombinatit të

“Idenë për të ofruar specialistët suedez në ndërtimin e Mjekësit, e hodhi Mehmet Shehu, madje saktësoi edhe emrin e kompanisë “Bofors”, pjesë e qendrës “Nobel”, me të cilën u bë kontrata. Me sa dukej ish-kryeministri kishte informacion të plotë për këtë kompani“

Pjesa e Dytë  

Vijon nga Pjesa e parë

I ngritur mbi infrastrukturën e një uzine të hershme, ndërtuar pas viteve ’60 nga specialistët kinezë, Kombinati i Lëndëve Plasëse të Mjekësit përfundoi në fillimin e viteve’80 dhe funksionoi deri në vitin 1991. Ndërtimi i tij vinte si një kërkesë e kohës për  përmbushjen e nevojave të ushtrisë, por edhe të ekonomisë. Përzgjedhja e teknologjisë perëndimore, në kushtet e izolimit total ishte alternativa e vetme për ndërtimin e kësaj vepre që për shumë vite do të vlerësohej e shkallës tepër sekret. Mehmet Shehu asokohe kryeministër i vendit, ishte i pari që hodhi idenë për të ofruar specialistët suedezë të kompanisë prestigjioze “Bofors”. Në vetëm pak kohë u realizuan procedurat përkatëse dhe në një periudhë të shkurtër u ndërtua kompleksi i ri i prodhimit të eksploziveve ku përfshihen një sërë uzina, secila me teknologjinë e vet specifike, si ajo e TNT-së (tritolit), e heksogenit, e nitrocelulozës, e barutit me një bazë, e nitroglicerinës, e barutit me dy baza, e dinamitit, si dhe shumë impiante të tjera ndihmëse. Kombinati u pajis me rrjet të plotë inxhinierik për furnizimin me energji elektrike, ujë, avull, ajër të koprimuar, kanalizime dhe sistemime neutralizimi dhe denigrimi, duke realizuar ciklin e plotë dhe të mbyllur për prodhimin deri dhe ambalazhimin e produktit sipas standardeve bashkëkohore. Përveç personelit inxhiniero-teknik të uzinës së hershme, në realizimin e projektit ambicioz u përfshi edhe grupi i ri i inxhinierëve të specializuar rishtazi në Institutin “Nobel-Chematur” dhe në uzinat e kompanisë së mirënjohur “Bofors” në Suedi. Në pak vite kombinati shënoi një hop të madh. Në vitet 1982 deri në vitin 1988 numri i punonjësve arrinte deri në 1 200 vet. Në këtë periudhë kombinati arriti standarde ndërkombëtare të prodhimit dhe kapacitete gati të pabesueshme, duke kapur shifrën deri në 10 mijë ton eksplozive në vit. I shtrirë në një hapësirë prej 125 hektarëve, nuk ka njohur asnjë ngjarje të jashtëzakonshme. Në një rrëfim për “Pamfleti” inxhinier Kujtim Laze, sjell sot një histori të zgjeruar të Kombinatit të Lëndëve Plasëse nga ndërtimi, shkëlqimi e deri te rrënimi i tij në në fillimin e viteve 90

Zoti Kujtim! Deri në fundin e viteve 80 ushtria shqiptare ka patur një uzinë për prodhimin e lëndëve plasëse, pse lindi nevoja për ndërtimin e një kombinati, madje të teknologjisë moderne të kohës?

Është e vërtetë që Mjeksi kishte një teknologji moderne për kohën  për prodhimin e eksploziveve dhe baruteve për përdorim civil dhe ushtarak. Kompleksi përmbante impiante të veçanta dhe të ndërlidhura për prodhimin e trotilit, hexogenit, nitroglicerines, dinamitit, nitrocelulozes dhe dy impiante të tjera për prodhimin e baruteve të ndryshme, duke filluar nga baruti i çiftes e deri tek ai i raketës. Lidhur me pyetjen çfarë e kushtëzonte shtetin shqiptar për të bërë këtë zgjedhje në kushtet kur kishim një uzinë disavjeçare për prodhimin e eksplozivëve, desha të nënvizoj kontekstin historik dhe domosdoshmërinë e zgjerimit të industrisë së prodhimit të lëndëve plasëse për ushtrinë dhe ekonomin e vendit. Fundi i viteve ‘70 dhe fillimi i viteve ‘80, koha në të cilën nisi të kristalizohej ideja e teknologjisë suedeze ishte kulmi i Luftës së Ftohtë. Pas divorcit me Kinën e Mao Ce Dunit vendi përjetonte vetminë e jashtëzakonshme. Asokohe ekzistonte në Mjeks një uzinë e vogël për prodhimin e eksplozivit dhe fitilit për punime tokësore, e ndërtuar në vitet 1960 në bashkëpunim me specialistët kinezë. Teknologjia e saj ishte relativisht e vjetër. Lënda e parë e uzinës (trotili) vinte nga importi (Serbia). Kapacitetet e saj nuk përballonin kërkesat për nevojat e mbrojtjes dhe atyre të minierave të kromit. Kjo situatë impononte krijimin e një uzine të re, me teknologji të kohës që të punojë me lëndë të parë të vendit dhe të përballonte kërkesat në rritje në interes të mbrojtjes dhe ekonomisë.

Si lindi ideja për të ofruar specialistët suedez, në kohën kur me Suedinë nuk kishim as shkëmbime tregtare?

Fillimisht u mendua të bënim diçka me forcat tona, siç ishte parimi i asaj kohe kur nuk ishim as “Lindje dhe as Perëndim”. Fillimisht u bënë studime fizibiliteti dhe eksperimentime, me qëllim që kompleksin ta ndërtonim me forcat e specialistëve tanë. U ngritën për këtë tre grupe studimi me specialistët më të mirë të fushës përkatëse. Për muaj me radhë u punua në laborator, u bënë aplikuime e eksperimentime të ndryshme dhe në fund u konkludua me kompetencë shkencore se ky kompleks nuk mund të ndërtohej në kushtet tona e si rrjedhim dilte e nevojshme importimi i teknologjisë dhe i pjesës më të madhe të pajisjeve. Çështja shtrohej se ku do ta importonim. Lindja, me të cilën kishim operuar më parë për këto çështje trashëgonte për vete një teknologji të prapambetur. E vetmja mundësi mbetej Perëndimi. Për të mbërritur deri aty duheshin kapërcyer fillimisht barrierat politike. Përveç tyre, duhej përzgjedhur vendi që posedonte teknologjinë më të përparuar. Qysh në diskutimet e para, Suedia doli si oferta më e mirë. Kjo jo vetëm për nga profili politik i saj si një vend i paangazhuar, por edhe si një nga mbartëset e teknologjisë më moderne të eksploziveve në botë. Pra, kishim pak alternativa për të blerë këtë tip industrie. Dhe proceduam me guxim për kohën, duke zgjedhur vendin dhe kompaninë që do të na jepte produktin e kërkuar. Grupi “Bofors”, që përfshinte edhe kompanitë “Nobel” dhe “Chematur” në këtë sipërmarrje, njiheshin si gjigandët e kësaj teknologjie në Evropë e në botë. Shkurt, Idenë për të ofruar specialistët suedez në ndërtimin e Mjeksit, e hodhi Mehmet Shehu. Madje ai saktësoi edhe emrin e kompanisë “Bofors”, pjesë e qendrës “Nobel”, me të cilën do të bëhej kontrata. Me sa dukej kryeministri Shehu kishte informacion të plotë për këtë kompani

Pra, duhej patjetër të kapërceheshin barrierat politike?

Të pretendoje atëherë për të ngritur një gjigand të industrisë kimike me karakter ushtarak në bashkëpunim me një vend perëndimor ishte një guxim i madh. Barriera të pakapërcyeshme deri atëherë po duhej bërë patjetër. U munduan aparaçikët me predikimet e tyre partiake, për ta sfiduar këtë sipërmarrje, po mesa dukej nevoja ishte më e rëndësishme se parimet e tyre boshe. Mbaj mend se për këtë interesohej drejtpërdrejt kryeministri i vendit Mehmet Shehu, i cili argumentoi në majat e vendimmarrjes domosdoshmërinë e kësaj kontrate me “zarar”. Përfundimisht, me këtë zgjidhje u pajtua edhe linja partiake. Po “vigjilenca” e saj do të vazhdonte më tej “me sytë hapur”, gjatë gjithë kohës që po implementohej projekti i teknologjisë së ”Nobelit”. Kjo “syçelëti” do arrinte deri te paradoksi.

Si nisi procedura për të instaluar teknologjinë suedeze?

Fillimisht, u nisën për në Suedi një grup prej 15 inxhinierësh për t’u trajnuar në qendrën “Nobel”. U vendosën në Karskoga, qyteti ku “Nobeli” ka ngritur uzinën e parë të eksplozivave në Evropë. Aty u bë trjnimi dhe familjarizimi me teknologjinë që do të vinte në Shqipëri. Kjo zgjati rreth dy muaj. Fill pas këtij trajnimi specialistët e “Nobel”-it mbërritën në vendin tonë. Ata sollën me vete edhe projektet paraprake të teknologjisë që do të instalonin në Mjekës, projekte komplekse këto me një vlerë rreth 7 milionë dollarë. Për një kohë të shkurtër ata njohën me to efektivin e specialistëve shqiptar. Pastaj nën kujdesin e teknologëve suedez erdhën pajisjet e teknikës dhe impianteve që do të montoheshin në uzinën e Mjeksit.

Sa specialistë suedezë punuan për ngritjen e Kombinatit të Mjekësit?

Ata bëheshin rreth 20 inxhinierë e teknologë të linjave të eksploziveve. Ishin mjeshtër të fushës së tyre dhe kishin një përvojë të gjatë me projektet e kësaj teknologjie. Mjaft syresh kishin punuar në vende të tjera si në Iran, Irak e gjetkë, ku kishin zbatuar projekte të ndryshme për prodhimin e eksploziveve të cilësive të larta.

Si e kujtoni procesin e ngritjes së kombinatit...

Fillimisht ishte punuar për ngritjen dhe përgatitjen e infrastrukturës dhe objekteve përkatëse. Teknika erdhi më vonë nën përkujdesjen e ekspertëve suedezë, të cilët do ta ndiqnin hap pas hapi instalimin e teknologjisë, deri te prodhimi i parë. Për ditë me radhë do të angazhoheshim në diskutime të shumta, kryesisht për të shmangur rrezikun e jashtëzakonshëm që mbarte montimi i kësaj teknologjie. Pastaj, instalimi i aparaturave e pajisjeve, do të ndiqej rigorozisht, pa bërë as lëshimin më të vogël.

A ishte problem për specialistët suedezë fakti që po instalonin në vendin tonë një teknologjie me destinim luftarak?

Kompania “Bofors” që është pjesë e Nobelit të famshëm, në tërë historikun e saj është shquar për prodhimin e produkteve të ndryshme me profil eksploziv, të destinuara për ekonominë në tërësi. Në të gjitha rastet misioni i saj  mbetet përdorimi i tyre në shërbim të qytetarëve. Në laitmotivin e vet kjo “perandori” teknologjike ka qëndrimin e prerë kundër përdorimit të produkteve të saj në dëm të njerëzve. Në këtë kuptim, kontributi i specialistëve të Nobelit, gjatë istalimit të kësaj teknologjie në vendin tonë, mbetej pjesë e kësaj filozofie që “Bofors” e kishte institucionalizuar në biografinë e vet. Ata, në fund të fundit, i përgjigjeshin një marrëveshje me shtetin tonë, komforë standardeve dhe kritereve të përcaktuara nga të dyja palët. Për ta, Kombinati i Mjeksit ishte një vepër legale dhe nuk përbënte asnjë shqetësim që  ndërtohej në infrastrukturën e një garnizoni ushtarak.

Cilat ishin raportet e specialistëve tanë me ata suedezë gjatë implementimit të projektit?

Teknologët dhe inxhinierët suedezë vinin nga një vend perëndimor, i hapur për botën. Ata nuk vuanin komplekse, siç kishte ndodhur rëndom me specialistët e mëparshme rus e kinezë me të cilët kishim operuar për vepra të tjera me karakter ushtarak. Çudia më e madhe për ta ishte ndrydhja e specialistëve shqiptarë në bisedat e lira. Një lloj stepje në formën e tërheqjes që specialistët shqiptarë bënin gjatë komunikimit me ta kur binte fjala për faktorët politik, për fenë, për të drejtat e njeriut, për izolimin etj, Për mysafirët suedezë kjo ishte diçka e pakuptimtë.

Ju keni patur rastin të njiheshit nga afër me inxhinierët e Nobelit që punuan në Mjekës. Çfarë kujtoni nga sjellja e tyre?

Ata nuk ishin thjeshtë inxhinierë e teknologë, por specialistë të niveleve të larta dhe mjeshtri të profesioneve të ngushta për të cilat ishin aftësuar. Më kujtohet sidomos shefi i tyre, inxhinieri Bertil Karlsson, i kudondodhur, i papërtuar, i komunikueshëm dhe shumë xhentil. Po kështu mund të thosha për Bengt Nilsson, një inxhinier kimist ky, që çuditërisht mësoi shqip qysh muajt e parë dhe çdo komunikim me ne e bënte në gjuhën tonë. Një mjeshtër i përsosur i punës në laborator dhe në impiantetet e ndryshme, ishte inxhinieri kimist Ulf Aneheim. Të njëjtat fjalë mund të thosha edhe për Karl Arkeliusin e të tjerë. Po paradoksalisht ata u anatemuan nga autoritetet tona si agjent të zbulimeve të huaja që deshën të përmbysnin pushtetin popullor. Ky është një kapitull marrëzie i njerëzve të sigurimit të shtetit, të cilët, siç del tani, paskan kërkuar tek këta mjeshtra agjentët që do të përmbysnin pushtetin e partisë së punës. Ata vinin nga Suedia, një vend me standarde shumë të larta. Nga një vend që nuk e njihte komunizmin dhe padyshim nuk kishte si mos tu bënte përshtypje mënyra si funksiononin gjërat tek ne në atë kohë. E vërteta është se ata për këtë shpreheshin pa kurrfarë kompleksi. Kjo shpesh herë do të bëhej edhe shkaku i incidenteve të ndryshme dhe ngjarjeve të padëshiruara që do ti revoltonte specialistët suedezë.

Për çfarë incidentesh e keni fjalën?

Një i tillë ishte rasti i ndalimit arbitrar në degën e punëve të brendshme të Elbasanit të inxhinierit që udhëhoqi montimin e impiantit të Nikoglicerinës. Një pasdite kur po relaksohej në zonën e ullishtave të qytetit me një aparat fotografik në dorë, do të binte pre e operativit të zonës, i cili në mënyrë brutale do ta thërriste në raport në zyrën e tij duke e akuzuar se po fotografonte bunkerët për tua shitur imperialistëve. Një polic i rëndomtë do të shpallte kështu të padëshirueshëm një nga inxhinierët më të famshëm të botës. Kjo do ta xhindoste pamasë “mysafirin” dhe do të kërkonte që atë mbrëmje për tu larguar urgjent nga ky ferr siç u shpreh ai pasi doli nga zyra e parandalimit të komisariatit të Elbasanit. Një sjellje të tillë provuan pothuajse të gjithë ekspertët suedezë që punuan për Mjeksin...

“Pamfleti”-i ka botuar ditët e fundit dhe dokumentet e sigurimit që i shpalli non grada. Një kapitull tjetër ky në historikun e Kombinatit. Ajo që nuk dihet është fakti se çfarë problemesh zgjidhni ky projekt për mbrojtjen dhe ekonominë e vendit?

Zgjidhi më së shumti kërkesat e shumta për ekonominë.  Eksplozivi për të ka qënë dhe është një mjet i nevojshëm, sidomos për minierat, guroret, rrugët, tunelet, fortifikimet etj  Në atë periudhë nevojat e ekonomisë kërkonin rreth 800 ton eksploziv në vit. Sigurimi I tyre në vend bëhej I domosdoshëm jo vetëm se importi ishte i vështirë e me kosto shumë të lartë, por edhe për faktin se ekzistonin në Shqipëri lëndët e para te nevojshme. Shkurt, prodhimi i eksplozivit të tipeve të ndryshme për ekonominë, ka qënë shumë rentabel. Sakaq, eksplozivi dhe barutet për qëllime mbrojtjeje d.m.th për prodhim municionesh, bëhej edhe më i domosdoshëm në kushtet e një vendi të izoluar dhe pa asnjë aleat, siç ishte në atë periudhë Shqipëria. Shto këtu edhe anën psikologjike të popullit tonë për ëndrrën historike për barutet dhe armët. Asokohe ndjeheshim krenar që merreshim me këtë punë dhe e vlerësonim seriozisht atë. Në Shqipëri në ato vite prodhohej municion i kalibrave e tipave të ndryshme për të cilat nevojitej  eksplozivi e baruti. Kombinati i Mjeksit u bë një nga më modernët jo vetëm në rajon, por edhe në Europë. Për vite me radhë ai ju përgjigj kërkesave të ekonomisë dhe atyre të mbrojtjes me prodhime të standardeve shumë të larta. Madje një sasi të madhe eksplozivesh edhe e eksportonim.

Pse, pati eksporte të produkteve të Kombinatit të Mjeksit?

Pati eksporte madje për disa vite në sasi të mëdha. Kishte asokohe një ndërmarrje të specializuar që quhej “Makina-Import”, nën siglën e së cilës mallrat shqiptare lëviznin në tregje legale, por edhe ato informate. Prodhimet e kombinatit të Mjeksit eksportoheshin nëpërmjet kësaj ndërmarrje, e cila i merrte ato në distributorët përkatës dhe nëpërmjet linjave të saj e adresonte për te porositësi. Gjeografia e eksportit me prodhimet e Mjeksit përfshinte shumë shtete të Europës, por edhe më tej. Eksplozivet “Made In Albania”, ishin nga më të kërkuarat nga tregje të ndryshme në SHBA. Kryesisht kërkesa e tyre ishte për tritol dhe ekzogjen, dy eksplozive të cilësive shumë të larta këto që përdoreshin për municionin e predhave dhe raketave. Nga sa mësonim atëherë importimi i tyre bëhej nëpërmjet një kompanie holandeze. Po kështu, Spanja ka qënë shumë e interesuar për prodhimet e kombinatit tonë dhe vazhdimisht merrte ngarkesa të ndryshme

Çfarë raporte kishte midis administratës së Kombinatit dhe Sigurimit të Shtetit?

Ishte krejt normale që shteti ynë të organizonte rrjetin e sigurimit për një investim të tillë të rëndësishëm, të rrezikshëm dhe të shtrenjtë, ashtu si kudo. Por mbarvajtja e punëve nuk ishte meritë vetëm e partisë, drejtuesve, apo e sigurimit të shtetit. Ajo ishte meritë edhe e atyre “superagjenteve” suedeze të cilët përveç teknologjisë së shkruar (te kontraktuar) lanë edhe eksperiencat e tyre personale shumë të shtrenjta tek inxhinierët shqiptarë, sidomos tek ata të “infektuarit” me psikologji perëndimore. Këto njohuri bënë të mundur mbijetesën e mëvonshme në kushtet e menaxhimit indipendent ose më mirë të themi të izoluar. Këtë e dinë më mirë ata që punonin e rrezikonit direkt. Unë personalisht e justifikoj kujdesin e veçantë  të shtetit për këtë objekt. Them kështu duke patur parasysh pasojat që mund të sillte një punë e papërgjegjshme në prodhimin, transportin dhe magazinimin  e sasirave të mëdha të eksplozivave të fuqishëm. Në këtë kuptim angazhimi i strukturave të shtetit për ta patur në qendër të vëmëndjes dinamikën për ngritjen dhe shfrytëzimin e këtij kompleksi ishte i përligjur. Por e keqja ndodhte gjetkë...

Për cilën të keqe e keni fjalën?

Kam mendimin se stafi i administrimit dhe sigurimit ka qenë fillimisht i pa përgatitur për tu përballur me teknollogji dhe personalitete të tillë, dhe shpesh duke mos pasur as idenë e lirisë së individit, dyshimi ka qënë i pabazë, madje shpesh  shumë i dëmshëm. Në  objektin e stafit te sigurimit u shënjezuan marrëdhëniet e specialistëve perëndimor, qëndrimet e tyre, sjelljet private e deri te lidhjet intime të tyre për të cilat me sa dukej operativët e caktuar ja kishin marrë dorën dhe ishin bërë mjeshtra. Ishte koha kur edhe organizatat e partisë së punës ishin të një niveli të ulët intelektual. Në këtë kohë inxhinierët e institutit Nobel nga Suedia ishin në një farë mënyre iluministe  si për anën teknike ashtu edhe për sjelljet sociale.  Unë mendoj se inxhinierët suedeze  kanë qënë të kontraktuar e te kontrolluar nga kompania Bofors për të vënë në punë e për të  dorëzuar impjantet teknologjikë dhe shpesh kane qenë ata që kanë diktuar ritmin e shpejte te punimeve. Ata nuk mund te dënoheshin se kishin kulturë tjetër sociale dhe politike dhe sepse dëshironin të shprehnin mendimin e tyre. E vërteta është se ata e kanë vlerësuar njeriun shqiptar dhe janë suprizuar me aftësinë thithëse të stafit tonë inxhiniero – teknik. Ata  punonin pjesën më të madhe të kohës jashtë shtetit dhe kishin nevojë për marrëdhënie shoqërore kudo shkonin e pse jo edhe me shqiptarët të cilëve i vlerësonin në shumë aspekte. Keqkuptimet ndodhnin shpesh për shkak të punëve, përgjegjësive dhe rreziqeve të mëdha në një marrëdhënie partnerësh me ndryshime të mëdha kulturore që buronin nga ndryshimi rrënjësor i sistemeve politike dhe i historisë së zhvillimit midis Shqipërisë e Suedisë.

Ju keni punuar me specialistët suedezë, a keni ndonjë pështypje të veçantë për ndonjërin prej tyre?

Ata ishin të gjithë të mrekullueshëm, secili mjeshtër i profilit të vet profesional. Po ishin dhe shumë të komunikueshëm. Do të veçoja njërin prej tyre, Bertil Karksson. Ai ishte një personalitet kompleks. Kishte punuar e jetuar në shumë vende të botës me sisteme të ndryshme politike. Ishte i aftë profesionalisht, shumë aktiv për moshën dhe nuk ishte i kursyer në informacione. Njëkohësisht ishte kritik me sistemin tonë politik dhe këtë e shprehte hapur, duke folë shkoqur si për problemet e punës ashtu edhe për çështje sociale dhe politike. I gjithë synimi ishte nëse mbahej apo nuk mbahej kompleksi në punë sipas standardeve dhe kapaciteteve të kontraktuara, punonin apo jo sistemet automatike të kontrollit të parametrave për evitimin e aksidenteve të mundshme. Aty ishte dhe angazhimi tërësor i tij. Të tjerat ishin jo fort të rëndësishme për të, po dhe për të tjerët. Sidoqoftë, ata që i përgjonin fshehtas, nuk donin të dinin për çka ata përfaqësonin në profesion, por si shpreheshin për udhëheqësin dhe komunizmin./Pamfleti

mjekësi eksplozivë specialistë suedezë mehmet shehu

Lini një Përgjigje