TAGS-AT E JAVËS

Kulture11 Tetor 2024, 11:10

Nga Nju Yorku në Kuçovë, si u gjetën eshtrat e pilotit të vrarë në Operacionin e Qershorit 44

Shkruar nga Afrim Imaj

  Nga Nju Yorku në Kuçovë, si u gjetën eshtrat e pilotit

Një gjysmë shekulli: të panjohur, të paharruar. Kjo ka qenë “bashkekzistenca” e çuditshme e fshatarëve shqiptarë në një fshat të largët të Kuçovës, me atë të dy pilotëve të rënë aleatë anglo-amerikanë të varrosur në kopshtet e shtëpive të tyre...

Është dashur më shumë se një gjysmë shekulli për tu zbardhur historia e “humbjes” së dy pilotëve amerikanë të forcave aleate në Shqipëri, të angazhuara në një mision mbështetjeje për njësitë nacional-çlirimtare në periudhën e Operacionit të Qershorit, në vitin 1944. Vetëm pak kohë më parë, me një punë koordinuese të ambasadës amerikane në Tiranë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe komunitetit të zonës së Kuçovës është bërë e mundur të identifikohet zona ku kishin rënë dy pilotët anglo-amerikanë gjatë asaj periudhe. Pasi është zbardhur e gjithë ngjarja e iniciuar nga departamenti i veteranëve të luftës së SHBA-së dhe kanë përfunduar hulumtimet disavjeçare në Shqipëri, është gjetur vendvarrimi i njërit prej pilotëve të martirizuar në ditët tragjike të operacionit. Më së fundi, Xhon Konon, piloti amerikan i vrarë nga forcat naziste në zonën e Kuçovës, mund të prehet në vendin e tij të lindjes, përtej oqeanit, mijëra kilometra larg prej nga fluturoi dikur për të ndihmuar forcat antinaziste çlirimtare të “vendit të shqiponjave”.

Misioni i nderit i pasardhësve të pilotit të vrarë

Në krye të operacionit për kërkimin e vendvarrimit të pilotit të vrarë në operacionin e qershorit 44, ka qënë ish-atasheu amerikan në Shqipëri, kolonel Uilliams Applegate. Ai ka plotësuar vakumin e përgjigjes ndaj apelit të ushtarakëve amerikanë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territoret e vendeve aleate në misionin e tyre për të shpëtuar popujt nga mortaja nazifashiste. Pas shumë informatave, familjarët e njërit prej pilotëve amerikanë të rënë në jug të Shqipërisë gjatë Operacionit të qershorit të vitit 1944, kanë përshkruar të njëjtën rrugë, si dhe i dashuri i tyre i zemrës që iu ka munguar gjatë një gjysmë shekulli, qoftë edhe me varrin e tij që prej gjysmë shekulli.

Mes këtyre udhëtarëve të largët ka qenë vëllai më i vogël i pilotit të rënë, (i cili, sipas ekzaminimeve speciale të ekspertëve ka rezultuar të ishte pikërisht i kërkuari Xhoni), i quajtur Xhimi Konon. Në ato kohë lufte Xhimi ka qenë fare i mitur, vetëm 4 vjeç, dhe as që e dinte pse fluturonte për larg vëllai i tij i madh...

Në një ditë pranvere para disa kohësh, ish-atasheu ushtarak amerikan, Applegate, i shoqëruar nga disa ushtarakë madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes do të përshkruante me makinën e tij personale rrugën nga Tirana në fshatin Goraj të Kuçovës, ku kishin nisur gërmimet për gjetjen e eshtrave të pilotit Xhon dhe saktësimin e procedurave për zhvarrimin e pilotit tjetër rënë jo më shumë se 200 metra larg. Misioni i nderit i ish-atasheut, Applegate, do të shoqërohej ndërkohë me mbresa të jashtëzakonshme nga takimet me banorët e zonës dhe mikpritja e fshatarëve të Gorajt, vendit ku kishte rënë gjatë luftës avioni i misionit aleat anglo-amerikan.

Nga Nju Yorku në Kuçovë, si u gjetën eshtrat e pilotit
Çaste nga çvarrimi, në këmbë vëllai i pilotit martir /

Gjysmë shekulli: të panjohur, të paharruar

Një gjysmë shekulli: të panjohur, të paharruar. Kjo ka qenë “bashkekzistenca” e çuditshme e fshatarëve shqiptarë në një fshat të largët të Kuçovës, me atë të dy pilotëve të rënë aleatë anglo-amerikanë të varrosur në kopshtet e shtëpive të tyre. Dhe ka ndodhur kjo rreth 36 kilometra në verilindje të këtij qyteti, në një vend kodrinor gjithë ullinj dhe xinxife. Fshatarët nuk ua dinin as emrat, as vendin e lindjes së tyre. Dy pilotë anglo-amerikanë të kallur në dhe pas rënies në luftë në mbështetje të forcave nacionalçlirimtare, ishin për ta simboli i heroit që vdes në luftë. Edhe pse të panjohur, edhe pse as emrat nuk ua dinin, ata jo vetëm u bënë shërbimet e fundit mortore, por edhe ua ruajtën varret e tyre me fanatizëm të rrallë, me një shpresë që kurrë nuk iu venit se nga larg do të vinin për t’i marrë eshtrat e tyre dhe për t’i rivarrosur në vendlindjen e tyre, në Amerikë...

Rrëfimet që “rindërtojnë” ngjarjen

Për ngjarjen nuk ka pasur kurrë një version zyrtar. Kështu që ajo është “ndërtuar” mbi bazën e rrëfimeve të disa të moshuarve të fshatit. Me gjithë pasaktësitë e vërejtura në këto rrëfime, në fakt ka një të përbashkët që shtjellon gjithë tragjedinë e asaj dite lufte të qershorit 1944, ndërsa do të kishte edhe pak muaj që vendi të çlirohej. Fluturimi i avionëve aleatë përkundër përforcimeve naziste gjermane në zonën e Beratit, do të binte në syrin e forcave armike që me artilerinë e tyre, vendosur diku në afërsi të Kuçovës, do të shënjestëronin mbi ta, duke i futur në kursin fatal, diku në rrethinat e fshatit të thellë Goraj.

Episodi i parë, i rrëfyer nga fshatari gorjan, Bajram Selimi: Kam qenë 16 vjeç atëherë. Avioni i ndezur flakë vinte nga Tomorri. E kuptuam që ishte i aleatëve anglo-amerikanë. E kishin goditur gjermanët me artileri. Pamë se si u hodhën me parashutë katër vetë. Pilotit nuk iu hap parashuta. Ndërkaq, qysh në ajër e korrën breshëritë e gjermanëve, që e kishin ndjekur nga afër gjahun e tyre. Ai ra në kopshtin tonë dhe pas pak çastesh nuk mundi të jetojë. Plumbat e kishin shpuar në gjithë trupin. Mbaj mend si tani se si mundën ta varrosnim po aty ku ra, në kopshtin tonë, nën ruajtje të rreptë se mos na shihnin gjermanët dhe na vrisnin edhe ne. Teshat e zhuritura nga plumbat, më vonë ia nisëm Këshillit Nacionalçlirimtar për t’ia dërguar misionit aleat anglo-amerikan, si provë materiale. Avioni, siç thashë, i ndezur flakë ra mbi kodrën përtej. E kam ruajtur varrin si gjë të shenjtë dhe e kam mbajtur të fshehtë gjatë gjithë kohës dhe nuk ma merrte mendja se një ditë shteti i madh përtej oqeanit do të interesohej për të. Pranë amerikanit, në vitin 1958, kemi varrosur edhe tim atë, Haxhi Selimin. Dhe sa herë punonim, oborrin e linim djerrë rreth pesë metra anash varrit.

Episodi i dytë, i rrëfyer nga fshatari gorjan, Sofi Bako: Atëherë kam qenë vërtet i vogël, por dëgjoja që thuhej shpesh më pas: Oh, zot, ç’qe gjithë kjo batërdi, gjithë ky kiamet që ra mbi ne. Fshati atëherë është djegur i tëri, aeroplani na bëri gjëmën me gjithë atë flakë që lëshoi. Në fillim ai ka hequr çatinë e njërës nga shtëpitë, pastaj ka sharruar një man të madh dhe më pas ka plasur gjithë tërsëllëmë. Të gjitha shtëpitë e fisit tonë i ka shkatërruar dhe ka vrarë njerëzit e tyre. Kanë shpëtuar vetëm dy fëmijë. Këtu kanë rënë edhe ata që u hodhën me katapultë nga avioni. Njërit nuk iu hap parashuta dhe ka rënë atje lart i vdekur, tjetri nuk mund të dilte dot nga avioni dhe është djegur në kabinën e pilotimit, ndërsa dy të tjerët ranë në tokë me parashutë dhe u vranë nga gjermanët.

Atë ditë të tmerrshme të qershorit 1944 janë hapur 13 varre, katër për anglo-amerikanët e avionit (dy prej të cilëve iu mbajtën mend vendvarrimet) dhe të tjerët për njerëzit tanë që u vranë nga rënia e avionit.

“Bashkëjetesë” 54-vjeçare me të rënët aleatë

Varrosjet brenda sinoreve të fisit, apo brenda gardhit të kopshtit, sipas fshatarëve të Gorajt në Kuçovë, kanë qenë diçka krejt normale deri aty rreth vitit 1965. Më vonë njerëzit preferuan t’i varrosnin të dashurit e tyre në varrezat e caktuara enkas. Kolektivizimi ishte një nga faktorët që prishi ritualin e vjetër. Për 54 vjet rresht, pra deri më 9 prill të vitit 1998, eshtrat e dy pilotëve amerikanë janë prehur në kopshtet e dy fshatarëve. Por ndërsa për pilotin Xhon Konon, fati ishte i tillë që i vëllai Xhimi të vinte nga larg dhe t’ia merrte eshtrat e trupit të tij për t’i riatdhesuar, procedurat e identifikimit për pilotin tjetër amerikan do të vazhdonin gjatë.

Të rënët aleatë në Shqipëri të asaj dite qershori 1944, kanë “bashkëjetuar” me të tjerët shqiptarë gorjanë të varrosur aty. Fshatarët e Gorajt i kanë mirëmbajtur të dy varret, njëlloj si ato të njerëzve të tyre më të dashur.

 Emri Xhon në përkujtim të pilotit që dha jetën për shqiptarët

 Asokohe kur xha Barjami i bënte kontrollin e fundit trupit të pajetë e të copëtuar të pilotit amerikan, u kujtua një çast të deshifronte emrin e tij në fashikullin metalik që ishte përshkruar fund e krye nga plumbat e nazistëve. Dalloi vetëm tri gërma dhe pasi mendoi se nuk i lypej gjë tjetër, e varrosi në heshtje të plotë brenda oborrit të shtëpisë. Vonë, shumë vonë do t’i lypeshin tre gërmat “XHON”, atëherë kur do të bëhej gjysh e do t’i duhej një emër për nipin. Dhe ashtu bëri, e pagëzoi atë me emrin e pilotit që u vra te pragu i shtëpisë së tij...

Dhe do të rritej ky Xhoni i Kuçovës me përkujdesjen e prindërve, por edhe me historinë e veçantë të emrit të tij. Për vite të tëra, sa herë të vinte qershori, do të afrohej me një tufë me lule te varri i tij dhe do të bënte homazhin në atë mënyrën e vet. Ditën që do të vinin nga larg vëllezërit dhe bashkëkombësit e pilotit të rënë në operacionin e qershorit, do të befasoheshin edhe nga kjo përqasje e bukur, ku emrin e njeriut të tyre e trashëgonte djali i shtëpisë, që e ruajti me përkujdesje të jashtëzakonshme varrin e tij në oborrin e shtëpisë...

Distinktivi i Pentagonit për dy fshatarët nga Goraj

Dy familjet në fshatin Goraj, ajo e Sofi Bakos dhe e Bajram Selimit mbajnë tani nga një distinktiv të ushtrisë amerikane të dhuruar para disa kohësh nga zyrtarë të Pentagonit. Ndërkaq ata nuk harrojnë edhe fjalët e përzemërta të këtyre në fundit. “Ishte kujdesi juaj, që ne mundëm të gjejmë eshtrat e pilotëve tanë. Keni qënë të rrezikuar edhe ju vetë në atë kohë lufte. Nazistët gjermanë vrisnin çdo shqiptar që ndihmonte aleatët, qofte edhe duke bërë gjestin tuaj ndaj pilotëve: Varrosjen e tyre. Ju i kini trajtuar të rënët amerikanë të luftës njëlloj si njerëzit tuaj të rënë në luftë dhe për këtë ushtria amerikane iu është shumë mirënjohëse. Ka folë sakaq në atë ceremoni modeste edhe Xhimi, i cili kishte dy ditë që po merrej me nxjerrjen e eshtrave të vëllait të tij të madh Xhonit dhe ka mbetur i habitur nga sjellja xhentile e fshatarëve të kësaj zone. “Më ka vdekur im atë shumë herët, më ka vdekur gjithashtu edhe një nga vëllezërit e tjerë. Pengu im dhe i gjithë familjes në Amerikë ishte të gjenim Xhonin, që gjatë Luftës së Dytë Botërore u vra në Shqipëri. Ja tani ku e kemi, heroin e ushtrisë amerikane, këtu mes njerëzish shqiptarë, të cilët e kanë dashur dhe janë kujdesur për të njëlloj si për varret e njerëzve të tyre më të dashur”. Këto kanë qenë fjalët e Xhimit, ndërsa ka mbaruar operacionin e nxjerrjes së eshtrave të të vëllait.

Versioni i ngjarjes sipas historisë

Gjatë një misioni për furnizimin dhe mbështetjen e forcave nacional-çlirimtare në operacionin e qershorit 1944, një avion aleat me katër pjesëtarë të ekuipazhit është goditur nga artileria e nazistëve gjermanë në një zonë të thellë disa kilometra në verilindje të Kuçovës. Sipas historisë së Luftës Nacionalçlirimtare, por edhe sipas dëshmitarëve okularë në këtë ditë lufte, që kanë qenë disa burra fshati, ngjarja ka pasur përmasa tragjike, pasi avioni në flakë ka dëmtuar edhe disa shtëpi të fshatit Goraj. Ka pasur shumë të vrarë mes popullatës së asaj zone. Ndërsa pilotët dhe ushtarakët e tjerë anglo-amerikanë nuk kanë pasur një fat të ndryshëm. Një nga dy pilotët nuk ka mundur të hidhet me parashutë dhe është djegur brenda në kabinën e pilotimit, tjetrit nuk i është hapur parashuta dhe ka pasur vdekje të menjëhershme, sapo ka rënë në tokë ndërsa, dy të tjerët që katapultuan janë vrarë nga gjermanët sapo kanë prekur tokën./Pamfleti

nju yorku kuçova operacioni i qershorit 44

Lini një Përgjigje