TAGS-AT E JAVËS

Kulture29 Nëntor 2025, 19:55

Pse dashurojmë dhe përse e vuajmë ndarjen

Shkruar nga Patricia Fernandez
Pse dashurojmë dhe përse e vuajmë ndarjen
Miguel Pita /

Në librin e tij të fundit, studiuesi spanjoll Miguel Pita zbulon çelësat neurologjikë që fshihen pas arsyes pse dashurohemi me dikë, nga kush tërhiqemi dhe çfarë ndodh kur mbaron një romancë...

Dashuria është një derivat shumë i sofistikuar i seksit, thotë Miguel Pita. Ky doktor i gjenetikës dhe biologjisë qelizore, ka përveshur mëngët për të shpjeguar në një libër, një nga misteret më të mëdha dhe më të bukura të mendjes njerëzore: si dhe pse biem, dhe pastaj dalim nga dashuria, dhe pse përqendrohemi në veçanti tek ai person i vetëm që bëhet objekt i mendimeve tona obsesive gjatë gjithë procesit.

“El cerebro enamorado” (Truri i Dashuruar), lexohet si një roman që tregon historinë e Raquel dhe Íñigo, çiftit fiktiv që Pita përdor për të ilustruar trurin dhe ndryshimet hormonale që përjetojnë dhe gëzimet dhe dhimbjet që përballen - nga tërheqja e tyre e menjëhershme, deri në ndarjen e tyre përfundimtare.

Pita, 49 vjeç, është studiues dhe profesor në Universitetin e Pavarur të Madridit, si dhe autor i dy librave të tjerë: “El ADN dictador” (ADN-ja e diktatorit) dhe “Un día en la vida de un virus” (Një ditë nga jeta e një virusi), rreth pandemisë së Covid-19.

Ju e nisni librin në një mënyrë të çuditshme; nuk thoni se për kë është, por për kë nuk është: “Nëse je e dëshpëruar sepse partneri të ka lënë ose nëse do të bësh për vete dikë me të cilin je e fiksuar, ky nuk është libri yt”. Pse?

Ky është një libër i bazuar në njohuri shkencore, shumë i ndryshëm nga ato të shkruara bazuar në opinione ose ndjenja, por edhe nga librat për vetëndihmë apo rritje personale. Nuk synon të tregoj truket për të kapërcyer një ndarje, por përmes këtij libri mund ta kuptoni se çfarë ju ndodhi pas ndarjes. Po ashtu, do ta kuptoni se nuk jeni të vetmit. Është normale: nuk ju ndodh vetëm juve, u ndodh të gjithëve, madje edhe minjve. Në këtë kuptim, mendoj se ndihmon.

Ju shkruani se të qenit i dashuruar, do të thotë ta shndërrosh disi personin tjetër në një drogë nga e cila varesh. Çfarë ndodh në fakt në trurin e një personi të dashuruar?

Drogat rekreative shfrytëzojnë mekanizmat e trurit që kanë funksione të tjera, njëra prej të cilave është të rënit në dashuri. Pra ato gjenerojnë një obsesion me objektin e dëshirës, sepse në qendrat e shpërblimit prodhohen shumë receptorë për të arritur kënaqësinë. Për më tepër, neuronet që prodhojnë këta receptorë i nënshtrohen modifikimeve.

Këto molekula ju ndëshkojnë për shkak të mungesës së objektit që dëshiron. Kjo është shumë tipike si për dashurinë ashtu edhe për drogën. Dallimi është se modifikimet që shoqërojnë të rënit në dashuri mund të përmbysen, ndërsa me drogën ka shumë pasoja afatgjata. Përgjatë shumë viteve të historisë së specieve tona, trupi është testuar të bjerë por edhe të dalë nga dashuria.

A ka dallime neurologjike midis një lidhjeje njënatëshe dhe dashurisë midis një çifti që është bashkë prej 20 vjetësh?

Po, është shumë ndryshe. Një lidhje njënatëshe mund të mos evoluojë në një dashuri romantike. Por nëse pas asaj nate, bini marrëzisht në dashuri, kjo shkakton fillimin e atyre ndryshimeve mendore në prodhimin e receptorëve të dopaminës dhe më vonë të oksitocinës, të cilat përfundimisht do të zvogëlohen dhe do të ekuilibrohen.
Ky është fillimi i tranzicionit drejt dashurisë së pjekur. Një çift që është bashkë prej 2 vjetësh,

nuk është aq marrëzisht i dashuruar sa ishte në javën e parë, por nuk është më pak i dashuruar. Është i dashuruar në një mënyrë tjetër. Ajo që zbehet është çmenduria, e cila shoqërohet me kulmet më të mëdha të mirëqenies, por edhe të shqetësimit.

Disa njerëz bien lehtë në dashuri, ndërsa të tjerë nuk kanë qenë kurrë të dashuruar. Pse ndodh kjo, nëse e pranojmë që gjithë njerëzit kanë predispozitën për të dashuruar?

Sepse nuk jemi identikë. Ne të gjithë kemi aftësinë të biem në dashuri, por ndryshon numri i receptorëve dhe neurotransmetuesve që prodhojmë, ndoshta për shkak të faktorëve gjenetikë dhe epigjenetikë. Dhe ndërsa përgjigjja e saktë për pyetjen tuaj nuk është plotësisht e qartë, unë spekuloj se disa njerëz janë më dopaminergjikë dhe të tjerë më oksitocinergjikë.

Individët më dopaminergjikë, kanë nevojë për kënaqësinë paraprake për të qenë vazhdimisht aktivë. Ata kënaqen nga parashikimi i diçkaje edhe më të madhe që do të vijë, dhe kur ajo “diçka më e madhe” mbërrin, ata nuk e shijojnë aq shumë.

Por ka njerëz të tjerë që janë më oksitocinergikë, dhe ka të ngjarë të kenë njëherazi një kapacitet më të madh për të prodhuar serotoninë, duke i bërë ata më të aftë për të shijuar të tashmen. Kur një marrëdhënie pushon së qeni plotësisht euforike, disa njerëz duhet të gjejnë një burim të ri euforie dhe nuk janë në gjendje të bëjnë kalimin te një dashuri e pjekur.

Në libër, ju thoni se rritja e fëmijëve është gur-themeli i dashurisë, momenti kur dy tru të veçantë bashkohen për këtë qëllim. Po çiftet që mund të qëndrojnë të dashuruar për vite me radhë pa dashur fëmijë? Çfarë ndodh në trurin e tyre?

Ato funksionojnë saktësisht në të njëjtën mënyrë. Falë shkencës, specia njerëzore mund të kuptojë arsyen përse i bën gjërat. Dhe disa gjëra na mësohen që në moshë të re, si për shembull që qëllimi i marrëdhënieve seksuale është të kemi pasardhës. Megjithatë, askush prej nesh nuk mendon për këtë kur kemi ndërmend të bëjmë seks.

Nga ky instinkt, i cili bazohet evolucionarisht tek marrëdhëniet seksuale dhe më pas në rritjen e pasardhësve, ne përfitojmë nga pjesa që na intereson. Marrëdhëniet seksuale të dikujt që bën seks për kënaqësi dhe të atij që bën seks për të pasur fëmijë, nuk janë as më të mira as më të këqija.

Ato janë të njëjta.

Nga një këndvështrim evolucionar, monogamia tek njerëzit është gjithashtu e çuditshme, …

Në fakt, monogamia është shumë e rrallë tek gjitarët, por edhe aty ku ndodh, nuk është një zgjedhje. Edhe tek specia jonë, gjithçka ka të bëjë me zgjedhjen. Ne jemi monogamë socialë: për një kohë, kur biem në dashuri, duam të jemi vetëm me atë partner dhe nuk jemi të interesuar për të tjerët. Disa njerëz do të debatojnë mbi këtë, por kur je i dashuruar me dikë, ke pak ose aspak interes për të tjerët. Njerëzit janë monogamistë socialë kalimtarë.

Deri tani kemi folur për seksin dhe dashurinë. Por çfarë ndodh kur nuk dashurohesh më ? A është edhe ky një proces i trurit, a luajnë rol hormonet?

Sigurisht që po. Vuajtja nga humbja e një dashurie është thjesht biologjike. Një nga pjesët që më magjepsi më shumë në shkrimin e librit, ishte zbulimi se kur dikush bie në dashuri, tek ai aktivizohen mekanizma të caktuar që ishin përgatitur tashmë.

Dhe nuk është një ide e keqe; truri yt është projektuar në mënyrë të tillë, që kur nuk je me partnerin tënd, do që të kthehesh tek ai. Kur ndalon së qeni me të, çlirohet një seri hormonesh dhe neurotransmetuesish që aktivizojnë receptorët që rriten në numër gjatë kohës kur je plotësisht i lumtur.

Dashuria luan dy karta: shpërblimin e kënaqësisë dhe ndëshkimin e dhimbjes. Kur partneri juaj largohet dhe ju jeni ende të dashuruar, ankthi është jashtëzakonisht i lartë dhe ato molekula që nxisin shqetësimin nuk zhduken kurrë. Dhe kjo ndodh gjithmonë në tru.

Ajo rrugë aktivizohet gjatë ndarjes dhe troket vazhdimisht në derën e atyre neuroneve që ju bëjnë të vuani, që ishin të përgatitura për këtë moment dhe kur po shihnit diku tjetër. Dhe derisa të kenë trokitur në atë derë mijëra herë, ato neurone nuk thonë: “Hajde, le të fillojmë të bëjmë valixhet, kjo rrugë po bëhet shumë e vështirë, le të mendojmë për diçka tjetër”.

Prandaj, thënia e vjetër se plaga e dashurisë shërohet me kalimin e kohës, është plotësisht e vlefshme. Ne e dimë se kujt i kushtohet kjo kohë: çmontimit të gjithë asaj arkitekture të ndërtuar gjatë fazës së dashurisë.

Kur e ke zemrën të thyer, përpiqesh të mësosh të dashurohesh më pak ose më mirë. A mund të stërvitet truri për këtë?

Mundësitë i ka të kufizuara. Ne të gjithë vijmë në këtë botë me një aftësi shumë të fuqishme për t’u dashuruar, dhe me mendjen tonë të vetëdijshme, mund ta zbutim atë deri në një farë mase. Por pjesët tona më të forta dhe më instiktive janë më të vështira për t’u stërvitur.

Në fund të fundit, ajo që të bën të biesh më pak në dashuri është gjithashtu biologjike. Për shkak të progresit tënd në jetë, hormonet e tua pakësohen dhe ndoshta e bëjnë këtë me të njëjtën shpejtësi që mëson veten t’i kontrollosh ato. Duhet të pranosh se disa gjëra që ndodhin në tru nuk mund t'i kontrollojmë. Qasja jonë në “kutinë e zezë” të trurit është minimale.

Si do t’i ndryshojë Inteligjenca Artificiale të gjitha këto? Ka tashmë njerëz që po bien në dashuri me chatbot-et…

Është shumë interesante. Nga njëra anë, dashuria është një instinkt kaq i fortë në specien tonë, saqë ndryshimet shoqërore kanë shumë pak ndikim. Mënyra se si biem në dashuri, është shumë e ngjashme me atë se si ishte në Mesjetë. Dashuria është një ndjenjë kaq e fuqishme dhe e thellë, saqë është më e fortë se vendimet tona të vetëdijshme dhe ndryshimet shoqërore. Por, nga ana tjetër, qeniet njerëzore kanë një aftësi kaq abstrakte për të rënë në dashuri, saqë mund të bien në dashuri me njerëz që nuk i njohin, madje edhe me qenie që nuk ekzistojnë./Përgatiti Pamfleti

miguel pita pse dashurojmë

Lini një Përgjigje