
Salman Rushdi i është rikthyer ditës më të keqe të jetës së tij: 12 gushtit të vitit 2022, kur u sulmua me thikë gjatë një aktiviteti publik në Nju Jork. Ai e përshkruan atë ngjarje të rëndë në librin e tij “Thika”.
Vdekja, thotë ai, ishte “shumë, shumë afër”. “Një nga mjekët që më erdhi menjëherë në ndihmë në skenë, më tha më vonë se për disa çaste nuk kisha fare puls. Zemra ime kishte pushuar së rrahuri. Kjo tregon sesa afër isha kapërcimit të kufirit midis jetës dhe vdekjes”- rrëfen Rushdi.
Sot, në moshën 78 -vjeçare, shenjat nga plaga që i kushtoi syrin e djathtë janë të fshehura pas një lenteje të errët. Që nga viti 1989, kur udhëheqësi iranian Ajatollah Khomeini lëshoi një fetva për vrasjen e tij për shkak të romanit “Vargjet Satanike”, Rushdi ka qenë ndoshta shkrimtari më i famshëm i gjallë në botë.
Megjithatë, ai këmbëngul se vitet e fundit kishte rifilluar një jetë normale në Nju Jork, dhe sulmi i papritur u përjetua prej tij si një “shpërthim nga e kaluara”. Atentatori, një i ri 24-vjeçar i radikalizuar, duket se kishte lexuar vetëm disa faqe të “Vargjeve Satanike”.
Rushdi e përshkruan romanin kryesisht si “një roman londinez”, të konsideruar nga shumë studiues si një nga veprat e tij më të mira.
Libri i ri dhe procesi i shkrimit
Salman Rushdi sapo ka publikuar librin e tij të 23-të, “Ora e Njëmbëdhjetë”, një përmbledhje tregimesh që flet për një shkrimtar që rilidhet me talentin e tij. “Doja që libri të ndihej paksa dinamik dhe jo shumë tragjik”- thotë ai.
Ai shkruan ndryshe nga koha kur ishte i ri. “Kur isha më i ri, isha shumë më agresiv. Shkruaja shumë më tepër, por kjo kërkonte edhe më shumë rishikime. Tani e trajtoj të shkruarit si një punë; shkruaj çdo ditë. Nëse shoh se është bërë qoftë edhe faqe, jam shumë i kënaqur”.
Jeta personale dhe imazhi publik
Rushdi ia përkushton librin e ri gruas së tij, poetes amerikane Rashel Eliza Grifits. Kur pyetet nëse është një burrë romantik, ai përgjigjet: “Mendoj se... ose ndoshta po. Në fakt duhet të jem, duke pasur parasysh historinë time të ndërlikuar…”.
Ai është martuar 5 herë dhe ka 2 djem. Pas një divorci, kishte menduar se i kishte dhënë fund me dashurinë. “U pajtova plotësisht me këtë ide. Por pastaj u zura në befasi”- thotë ai. Salman e refuzon imazhin publik të një “playboy letrar”, të përshkruar një herë në një gazetë.
“Nëse i pyet njerëzit që më njohin vërtet, unë nuk jam i tillë... Më pëlqen t’i shoh njerëzit në grupe shumë të vogla” - nënvizoi shkrimtari britaniko-indian.
Jeta nën kërcënim dhe lufta për lirinë e fjalës
Në vitet pas daljes së fetvasë kundër tij, qasja e qëllimshme e Rushdi, ishte të shfaqej publikisht për të treguar se nuk kishte frikë. Ai kujton se një herë, në një restorant, një i njohur pyeti: “A mos duhet të kemi frikë?”.
Kjo përvojë e nxiti të sulmonte perceptimin e tmerrit që e rrethonte. Mbrojtja e tij nga policia britanike u diskutua ashpër në shtyp, dhe shumë njerëz thoshin se ai nuk e “meritonte”. Megjithatë, Rushdi thotë se autoritetet ishin të qarta në qëndrimin e tyre: “Të gjithë ishin absolutisht të qartë, se nuk do të lejonin një fuqi të huaj që të ekzekutonte një qytetar britanik në vendin e tij”.
Madje shkrimtari zbulon një detaj të ri: “Nga sa më thanë, ndaj meje ishin përgatitur të paktën 6 atentate serioze, të cilat siç më thanë u parandaluan në kohë nga agjentët e MI6-ës”.
Rushdi mbetet i patundur në besimin e tij në lirinë e fjalës, duke e parë atë si një parim thelbësor që po sulmohet. Por ai flet me shqetësim për një rritje të ndalimeve të librave në SHBA, me një listë prej 23.000 mijë tituj të ndaluar, veçanërisht ato që trajtojnë çështjet e komuniteteve LGBTQ+ ose të njerëzve me ngjyrë.
“Ky është padyshim një projekt, por për fat të mirë ka një reagim të ashpër kundër tij”- deklaron ai. Përballë forcimit të nacionalizmit në Britani, Rushdi, i cili përjetoi racizëm kur studionte vetë në shkollat britanike ka këtë mendim: “Ka kaluar kaq shumë kohë sa që nuk më intereson”.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për figura si Najxhell Farazh, ai thotë: “Ndoshta po të ngjitej në krye nuk do ta shpërfillja”. Pavarësisht të gjithave, Rushdi ndihet i lirë në punën e tij.
“Pas 23 librash, nuk më intereson se çfarë presionesh ka përreth. Unë thjesht po bëj atë që dua”. Nga ana tjetër, ai është indiferent ndaj kërcënimit të Inteligjencës Artificiale. Një mik i kërkoi ChatGPT të shkruante në stilin e tij dhe rezultati ishte “shumë i keq”.
“Askush nuk do ta ngatërronte me diçka që do të shkruaja unë. Kështu që mendova: Epo, kjo është ngushëlluese. Unë mendoj se AI është e paaftë për origjinalitet. Vetë fjala ‘roman’, përmban idenë e së resë”- përfundon shkrimtari./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje