Me ndarjen nga jeta të Brigitte Bardot, hapet çështja delikate e trashëgimisë së aktores legjendare franceze. Sipas faqes së specializuar Celebrity Net Worth, pasuria e saj vlerësohej në rreth 65 milionë dollarë, ku përfshihet mbi të gjitha rezidenca e famshme “La Madrague” në Saint-Tropez.
Megjithatë, biografi i saj Yves Bigot ka shpjeguar më herët se Bardot kishte shumë më pak pasuri sesa mendohej, pasi ajo ishte tërhequr nga kinemaja më shumë se 50 vite më parë dhe kishte refuzuar pothuajse çdo kontratë fitimprurëse që i ishte ofruar. Sipas tij, aktorja kishte firmosur vetëm dy marrëveshje të rëndësishme: një për çantat Lancel dhe një tjetër për një markë veshjesh online.
Pjesa më e madhe e pasurisë së saj u orientua drejt Fondacionit Brigitte Bardot për mbrojtjen e kafshëve. Bigot thekson se aktorja shiti në ankand shumicën e pronave të saj për të financuar fondacionin dhe më pas la peng rezidencën “La Madrague”. Në vitin 2020, Bardot nxori në shitje edhe një vilë në Kanë, me vlerë rreth 6 milionë euro. Vetë ajo kishte deklaruar që në vitin 2006: “Pasuria më dëshpëron.”
Raportet me djalin dhe testamenti
Djali i saj i vetëm, Nicolas-Jacques Charrier, 65 vjeç, i cili jeton në Norvegji dhe me të cilin Bardot kishte marrëdhënie të tensionuara ndër vite, pritet të marrë pjesën që i takon me ligj. Sipas biografit, kjo shumë nuk do të jetë e konsiderueshme.
Mbetet e paqartë nëse Charrier do të ndërmarrë një betejë ligjore kundër fondacionit të nënës së tij apo kundër bashkëshortit të saj të fundit, Bernard d’Ormale, i cili gjithashtu mund të përfitojë një pjesë të trashëgimisë.
Fjalët e fundit dhe dëshira për varrimin
Bernard d’Ormale qëndroi pranë aktores deri në momentet e fundit të jetës së saj. Sipas Bruno Jacquelin, drejtor i komunikimit të fondacionit, ai vuri re se frymëmarrja e saj ishte e qetë, derisa në orën 05:55 të mëngjesit, Bardot pëshpëriti fjalën e saj të fundit të dashurisë.
Që në vitin 2018, Brigitte Bardot kishte shprehur dëshirën të varrosej në kopshtin e shtëpisë së saj në Saint-Tropez, duke refuzuar varrezat publike, për të shmangur, siç shprehej ajo, që “një turmë budallenjsh” të shkatërronte varrin e familjes.
Lini një Përgjigje