
Një akt heroizmi ka tronditur sot Delvinën, ku shefi i Komisariatit të Policisë së qytetit, Komisar Agim Troci, është lënduar rëndë gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar nga zjarri i fuqishëm që ka përfshirë fshatin Vergo.
Troci ka pësuar djegie të shumta dhe është dërguar menjëherë në repartin e djegieve të QSUT-së, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Mbrëmjen e sotme, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vizitoi Trocit në spital, duke e cilësuar atë një shembull frymëzues të përkushtimit dhe humanizmit. “Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i sakrificës dhe guximit të një oficeri policie, që vepron për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tij”, deklaroi Proda, duke vlerësuar edhe punonjësit e tjerë të komisariatit që sot rrezikuan jetën e tyre për të evakuuar dhjetëra banorë, kryesisht të moshuar, nga zonat e përfshira nga flakët.
Në ndërhyrje u lëndua edhe nënkomisar Eridioni, i cili u prek nga asfiksia dhe po merr trajtim në Spitalin e Delvinës, ndërkohë që disa efektivë të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Aktualisht, shërbimet e Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë vijojnë betejën për neutralizimin e zjarreve në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, ndërsa banorët apelohen të tregojnë kujdes ekstrem për të shmangur ndezjet e reja që mund të përkeqësojnë situatën.


Situata nga zjarret në Delvinë po bëhet gjithnjë e më kritike, duke detyruar autoritetet të angazhojnë edhe Forcat e Armatosura në operacionet e shuarjes së flakëve. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se 62 efektivë të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, pjesë e Forcës Tokësore me bazë në Gjirokastër, janë dërguar në fshatin Palavli për të mbështetur zjarrfikësit vendas.
Ndërhyrja e ushtrisë vjen pas vështirësive që ekipet zjarrfikëse lokale kanë hasur për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta. Situata mbetet e vështirë, ndërsa rreziku për përhapje të zjarrit drejt zonave të banuara nuk është shmangur plotësisht.
Autoritetet u bëjnë apel banorëve të ruajnë qetësinë dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re zjarri, ndërkohë që operacionet e shuarjes po vijojnë edhe në orët e mbrëmjes.

Situata e zjarrit në Delvinë vijon të mbetet kritike me ekipet e emergjencave që kanë nisur evakuimet në 3 fshatra, Palavli, Vergo dhe Kopaçëz. Si pasojë e flakës dhe tymit që ka mbuluar zonën ka pasur dhe të lënduar.
Deri më tani 5 persona janë paraqitur në Shërbimin e Urgjencës ku janë trajtuar për djegie të shkallëve të ndryshme dhe problemeve shëndetësore të shkaktuara si pasojë e asfiksimit. Ndërkohë që dy raste u dërguan drejt spitalit të Sarandës.
Aktualisht bëhet me dije se shefi i Komisariatit të Delvinës, Naim Lala është asfiksuar si dhe ka marrë djegie. Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, Troci është transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Ai ishte pjesë e ekipit të punonjësve të zjarrëfikëseve dhe policisë, që morën pjesë për shuarjen e zjarrit që duket se ka dalë jashtë kontrollit. Shefi i komisariatit të policisë ka pësuar djegie në bark, krah dhe në këmbë.

Vijon të jetë alarmante situata e zjarreve në vend...
Situata e zjarrit në zonën e Shkopetit ka marrë përmasa edhe më kritike, pasi gjatë natës së kaluar flakët u përhapën në drejtim të Fangut në Mirditë. Terreni tepër i vështirë dhe mungesa e mjeteve të specializuara e kanë bërë ndërhyrjen pothuajse të pamundur.
Gjatë përpjekjeve për të ndalur përhapjen e zjarrit në orët e para të mëngjesit, disa punonjës të Bashkisë Mirditë kanë pësuar lëndime të lehta, teksa po tentonin të shuanin flakët me mjete rrethanore. Aktualisht, vatrat ndodhen pranë zonës së antenave në majën e Kulmës dhe po zbresin drejt fshatit Fang, duke shtuar rrezikun për banorët dhe infrastrukturën strategjike.
Ndërhyrja nga ajri me helikopter të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile është bërë edhe këtë të premte, por pa arritur të vihet nën kontroll vatra kryesore. Autoritetet lokale vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa erërat dhe temperaturat e larta po e kthejnë zjarrin në një kërcënim të madh për gjithë zonën.

Situata e zjarrit në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” vijon të mbetet kritike, ndërsa qindra hektarë pyje halore janë përshkuar nga flakët. Zjarri, që ka nisur prej afro 20 ditësh, ka përfshirë mbi 400 hektarë nga fshati Gurë Lurë, Zall Gjoçaj e deri në Mas Dejë, duke shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të pasurisë natyrore të zonës.
Përpjekjet e ndërhyrjes nga toka dhe ajri kanë rezultuar të kufizuara dhe shpesh të paefektshme. Një vatër zjarri pranë liqenit të Hotit është vënë nën kontroll falë angazhimit të 23 forcave ushtarake, 5 efektivëve zjarrfikës, 20 punonjësve të Bashkisë Dibër dhe 10 vullnetarëve lokalë. Megjithatë, në një zonë tjetër, të quajtur “Gjura e Pllaut”, terreni tepër i vështirë dhe tymi i dendur kanë detyruar anulimin e ndërhyrjes ajrore, për të shmangur rrezikun për pilotët.
Edhe në parkun natyror “Ulëz – Shkopet”, vatrat e zjarrit po shkaktojnë shqetësim serioz. Një vatër e fikur një ditë më parë u riaktivizua pasditen e sotme pranë tunelit të madh, ndërsa po vijon puna për neutralizimin e një zjarri tjetër në kufirin mes Matit, Mirditës dhe Kurabinit.
Ky është një alarm serioz për mungesën e mjeteve dhe logjistikës në luftën kundër zjarreve, por edhe për masat parandaluese të pamjaftueshme në një sezon ku rreziku i zjarreve është maksimal.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme zonën kodrinore të fshatit Konisbaltë në bashkinë Dimal, duke rrezikuar një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të thatë. Vatra e parë u regjistrua në kufirin me fshatin Mbreshtan, por për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, flakët u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik një hapësirë të gjerë.
Zjarrfikësit e Dimalit kanë ndërhyrë menjëherë, ndërsa për të përballuar situatën iu bashkuan edhe grupet e emergjencës nga Berati me tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë, si dhe forcat e bashkisë Kuçovë me një mjet zjarrfikës dhe katër efektivë shtesë. Për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja është bërë kryesisht me mjete të dorës dhe pompa uji portative.
Pas disa orësh pune intensive, ekipet kanë arritur të lokalizojnë flakët, por disa vatra vijojnë të jenë aktive dhe mbahen nën monitorim për të shmangur riaktivizimin. Autoritetet u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në rast të ndonjë rreziku të ri.

Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz...
Delvinë dhe Senica po përballen me një situatë dramatike nga zjarret e fuqishme që kanë përfshirë disa fshatra. Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz të Bashkisë Delvinë, për shkak të flakëve që kanë dalë jashtë kontrollit prej më shumë se tre orësh.

Në Delvinë, shefi i Komisariatit, Naim Lala, është asfiksuar dhe ndodhet në spital, bashkë me persona të tjerë, numri i të cilëve ende nuk dihet. Ambulanca nga Saranda dhe Delvina po mbështesin operacionin, ndërsa ushtria është angazhuar për të ndihmuar në terren. Dy helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për të shuar flakët, të cilat u përhapën me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta që nga pasditja e së enjtes.

Në Senicë, banorët përshkruajnë një skenë tmerri. Katër banesa dhe qindra pemë frutore janë zhdukur në Senicë, ndërsa banorët u përballën me orë tmerri, në një përpjekje për të shpëtuar jetën dhe ato pak gjëra që mundën të nxirrnin nga flakët.
Disa zjarre janë vënë nën kontroll sot pas ndërhyrjes nga ajri, por energjia elektrike mungon në Vergo, Kalasa, Tatzat dhe Senicë për shkak të dëmtimit të telave elektrikë. Ndërkohë, zjarre të tjera po shkatërrojnë Parkun Kombëtar të Lurës, ku tre vatra aktive në zonën e Liqenit të Luleve po dëmtojnë pishat dhe bimësinë.

Flakët kanë shkrumbuar banesa dhe Kishën e Shën Dhimitrit në Senicë, një monument kulture i rrallë dhe simbol i identitetit historik të zonës. Fshati Senicë është mbuluar nga hiri, ndërsa katër banesa dhe qindra pemë frutore janë shkatërruar.
Në terren janë angazhuar mbi 100 forca, të mbështetura nga një avion Canadair nga Kroacia. Në Mirditë, zjarri në Shkopet ka përparuar drejt fshatit Fang, duke rrezikuar antenat e zonës dhe duke lënduar punonjës të bashkisë.

Sipas Emergjencave Civile, në të gjithë vendin janë aktive 10 vatra zjarri, me 680 forca operacionale, 52 mjete zjarrfikëse, dy helikopterë të Forcës Ajrore, dy helikopterë hungarezë dhe një avion kroat në ndihmë.
Deri tani, vetëm dy persona janë proceduar penalisht për zjarrvënie në Kakavijë dhe Dovolan të Korçës. Situata mbetet alarmante, ndërsa autoritetet po bëjnë përpjekje për të vënë në kontroll situatën.
Lini një Përgjigje