
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, thotë se thelbi i çdo politike dhe programi është ndershmëria ndërsa u shpreh se Lëvizja Bashkë nuk bën aleanca me parti të korruptuara që, sipas tij, kanë vjedhur shqiptarët.
“Nuk duam të bëhemi pis ose të mashtrojmë e tradhtojmë zgjedhësit. Për më tepër, nuk mund të qeverisësh mirë kur ke partnerë njerëz të korruptuar,” tha Qori në emisionin “Now”.
I pyetur nga drejtuesja e emisionit, Erla Mëhilli, se nëse Rama nuk arrin të fitojë 71 mandate, a do të veprojë njësoj si Adriatik Lapaj, i cili ka deklaruar se do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, Qori u përgjigj prerë: “Asnjë nga deputetët e Lëvizjes Bashkë nuk blihet.”
“Nëse nuk ka shumicë qeverisëse, ka disa opsione. Ai që del i pari, gjëja e parë që do të bëjë është të dalë për të blerë vota. Por e sigurt është se nuk ka për të blerë asnjë nga deputetët e Lëvizjes Bashkë. Këtë nuk mund ta thotë asnjë parti tjetër, përveç nesh. Ne e kemi të konfirmuar seriozitetin dhe ndershmërinë. I qëndrojmë fjalës sonë. Dy vjet më parë, në televizionin tuaj, thashë që nuk do isha i pari në listën e Tiranës dhe i qëndrova këtij premtimi,” u shpreh Qori.
Ai theksoi se Lëvizja Bashkë kërkon maksimumin e votave dhe është e gatshme për të qeverisur vendin ndërsa i pyetur se çfarë përkatësie politike kanë mbështetësit e tij, Qori u përgjigj se ata janë nga të gjitha shtresat dhe përkatësitë politike.
Lini një Përgjigje