
Akademia e Forcave të Armatosura ka përgënjeshtruar zyrtarisht akuzat e Partisë Demokratike ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, lidhur me dypunësimin dhe përfitimet financiare si pedagog. Në një reagim të detajuar, institucioni ushtarak thekson se Begaj nuk ka pasur asnjë angazhim aktiv mësimor pas marrjes së detyrës si President dhe se pagesat e përmendura nga PD janë detyrime të prapambetura për punë të kryer gjatë viteve 2013–2018.
Reagimi i Akademisë vjen dy ditë pas deklaratës së Gazment Bardhit, i cili në emër të Partisë Demokratike dorëzoi në Kuvend kërkesën për nisjen e procedurës së shkarkimit të Presidentit. Mes 7 shkeljeve të pretenduara, njëra lidhej me angazhimin e Begajt si pedagog në AFA dhe përfitime të paligjshme financiare, të cilat PD i konsideron shkelje të ndalimit të dypunësimit për kreun e shtetit.
Në reagimin e saj, Akademia e Forcave të Armatosura deklaron: “Akademia e Forcave të Armatosura përgënjeshtron të gjitha akuzat e ditëve të fundit në lidhje me pagesat e kryera ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, sh.t.z. Bajram Begaj. Presidenti, në funksionet e tij të mëparshme si mjek ushtarak, ka qenë pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak së bashku me një staf akademik prej 15 profesorësh dhe është angazhuar në udhëheqjen e temave shkencore të ciklit të tretë të studimeve (Doktoratë) në periudhën 2013 – 2018 pranë AFA”.
Në vijim të deklaratës, Akademia sqaroi se pagesat janë kryer vite më vonë, pasi për shumë kohë nuk ishin shlyer detyrimet financiare ndaj stafit akademik për periudhën përkatëse. Pagesat janë kryer në mënyrë të barabartë për të gjithë të përfshirët në proces, përfshirë Begajn, dhe nuk lidhen aspak me ndonjë funksion aktual të tij.
“Për angazhimin e stafit akademik gjatë viteve 2013–2018, AFA, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore që rregullojnë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, ka shlyer gjatë viteve 2022 dhe 2024 detyrimet e prapambetura financiare ndaj të gjithë personelit akademik të përfshirë në këtë proces. Procesi është zhvilluar në mënyrë të barabartë, transparente dhe me dokumentacion të plotë financiar e administrativ, i cili mund të verifikohet nga çdo institucion kompetent”, thuhet aty.
Gjithashtu, Akademia nënvizon se nuk ka pasur asnjë kontratë pune me Begajn në cilësinë e Presidentit apo zyrtarit të lartë shtetëror, dhe i bën thirrje mediave të mos përhapin informacione të paverifikuara.
“AFA mbetet plotësisht e hapur për çdo verifikim nga organet përgjegjëse dhe fton median të ushtrojë misionin e saj mbi bazën e fakteve të verifikuara, duke shmangur keqinformimin e opinionit publik”, thuhet më tej.
Lini një Përgjigje