
Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur ashpër Sali Berishës, pas deklaratave të këtij të fundit ditën e sotme. Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se Alibeaj dhe Basha janë dy personat që nuk kanë më vend në PD dhe ai nuk do të bashkëpunojë kurrë me ta.
Por Alibeaj i përgjigjet se në fakt Berisha është humbësi më i madh i zgjedhjeve. Sipas tij, aleanca që ai bëri me Metën ishte shkatërruese për demokratët.
“Humbësi i madh i zgjedhjeve të 14 majit paska gjetur sot armiq të rinj, duke publikuar dhe listën e të përjashtuarve të radhës. I zhytur në disfatën që i solli demokratëve dhe opozitës, sindroma e komunizmit i rikthehet si përherë kur humb duke shpallur grupe armiqësore. Shqiptarët e kanë të qartë se shkaku i përçarjes së opozitës është Sali Berisha, sikundër aleanca e tij me Ilir Metën ka prodhuar këshilltarë të LSI me votat e demokratëve në çdo këshill bashkiak. Bashkëpunimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve është një nga arsyet pse pati refuzim masiv në 14 maj dhe që e mban në këmbë regjimin e Edi Ramës”, shprehet Alibeaj.
Duhet theksuar se pak ditë më parë Alibeaj u dorëhoq si kryetar i komanduar i PD, për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhje.
Lini një Përgjigje