TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Korrik 2026, 21:37

Anëtarët e votuar/ Nga Këlliçi te Spahia e Topalli, emrat që Berisha nxorri ‘jashtë’ Kryesisë

Shkruar nga Pamfleti
Anëtarët e votuar/ Nga Këlliçi te Spahia e Topalli, emrat
Keshilli Kombetar i PD

Emrat që nuk votohen nga Këshilli Kombëtar i PD për Kryesinë e re...

Këshilli Kombëtar i PD-së do të zgjedhë sot 20 anëtarë të rinj të Kryesisë së kësaj partie, ndërsa listat e kandidatëve u bënë publike nga kreu demokrat, Sali Berisha. Ky i fundit tha se ata që garojnë për Kryesinë janë të ndarë të 3 lista: ajo e zonjave, burrave dhe të rinjve e të rejave.

Nëse bëjmë një krahasim mes Kryesisë aktuale, anëtarëve të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, dhe listës së prezantuar nga Sali Berisha, bie në sy fakti se disa emra nuk janë përfshirë në garë. Por kjo nuk do të thotë se mund të mos jenë anëtarë të kuoptuar në Kryesi, për shkak të pozicioneve të tjera që mund të marrin në PD.

Gjithsesi duke u ndalur në listën aktuale të Kryesisë, anëtarëve të zgjedhur, dhe emrave që garojnë, bie në sy fakti se nga gara ose votimi nga anëtarët e Këshillit Kombëtar, janë përjashtuar, deputetët Belind Këlliçi, Enno Bozdo, Bardh Spahia dhe deputetet Ina Zhupa dhe Jozefina Topalli. Të gjithë këto ishin pjesë e Kryesisë së PD-së, të zgjedhur në 2022-shin, nga Këshilli Kombëtar i asaj kohe që doli nga Kuvendi Kombëtar i Rithemelimit, sikundër u quajt ai i dhjetorit 2021.

Gjithashtu garës së sotme i mungojnë edhe ish-deputetët Sorina Koti, Aldo Bumçi apo Florion Mima, që prej kohësh pothuajse janë shkëputur nga jeta aktive politike.

Ndërkohë që disa nga emrat e Kryesisë aktuale janë rikandiduar sërish ku përfshihen Grigels Muçollari, Elena Qirici, Edit Harxhi, Floriana Garo, Mimoza Hajdarmataj, Keltis Kruja, Gent Strazimiri, Luan Baçi.

Ndërkohë votimit i nënshtrohet Edi Paloka, i cili në Kryesinë e zgjedhur në 2022, ishte si anëtar i kuoptuar për shkak të pozicionit të tij si Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Si risi ndër emrat e njohur që i nënshtrohen votimit nga Këshilli Kombëtar janë Ilir Alimehmeti, deputetët Arjan Ndoja, Gjin Gjoni dhe Fidel Kreka, anëtari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, apo Alfred Lela. Po kështu garojnë për një vend në Kryesi, si pjesë e grupit të të rinjve, Glauk Olldashi, djali i ish-deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, apo Tedi Kopliku, Nikola Kedhi apo ish-deputetja Andia Ulliri.

Një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të Kryesisë kuptohen për shkak të pozicioneve të tyre në parti apo grupin parlamentar. Kështu Nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm, Sekretariati, Kreu i Grupit Parlamentar, drejtuesit e FRPD dhe LDG, si dhe drejtuesit e Komisioneve Parlamentare, që i përkasin PD-së, janë pjesë e Kryesisë, si të kuoptuar, pra pa iu nënshtruar një votimi nga anëtarët e Këshillit Kombëtar. /Pamfleti/

pd kryesia berisha keshilli kombetar

Lini një Përgjigje