TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Dhjetor 2025, 17:46

Arrestimi i Mogherinit, Këlliçi: Qeveria avulloi 22 mln euro nga projektet e Kolegjit të Europës në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

Arrestimi i Mogherinit, Këlliçi: Qeveria avulloi 22 mln euro nga

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë dhe institucioneve vendore, duke i lidhur ato me aferën e ndërtimit të Kolegjit të Europës në Tiranë.

Sipas tij, rasti i shumëpërfolur i Federica Mogherinit në Europë nxjerr në pah edhe mënyrën se si në Shqipëri janë devijuar dhe humbur si me “magji” miliona euro nga fondet publike.

Këlliçi rikujton 17 milionë eurot e destinuara fillimisht për studentët shqiptarë, të cilat u ridrejtuan për projektin e Kolegjit, si edhe rreth 5 milionë euro të tjera të përdorura më herët nga Bashkia e Tiranës për projektet universitare.

Deputeti i PD thekson se qytetarët të reagojnë ndaj aferave skandaloze financiare, teksa ka kërkuar përgjegjshmëri dhe ndëshkim për zyrtarët përgjegjës.

“Nëse Federica Mogherini u arrestua për 3.2 milionë euro, kolegët e saj në Shqipëri, zhdukën me magji 22 milionë euro për këtë aferë.

Kolegji i Europës nuk ju ka kushtuar miliona vetëm taksapaguesve të BE-së, por edhe atyre shqiptarë, më së shumti të rinjve.

Me një VKM të 13 marsit 2024, qeveria e Edi Ramës devijoi 17 milionë euro të destinuara për studentët shqiptarë, duke i përdorur ato për ndërtimin e Kolegjit të Europës.

Gjithashtu, ky vendim i qeverisë zhduku edhe rreth 5 milionë euro të përdorura nga Bashkia e Tiranës për hartimin e projektit të kampusit të Universitetit të Tiranës, “Ndërtim i Universitetit të Arteve” dhe “Ndërtim i Akademisë së Policisë”.

Mesa duket të korruptuarit e Tiranës janë integruar më së miri me aleatët e tyre të korruptuar europianë.

I mbetet popullit shqiptar, qytetarëve tanë të vjedhur e të grabitur në mënyrë të përditshme, të ngrihen në lartësinë e çdo qytetari të zakonshëm europian dhe të ndëshkojnë zyrtarët abuzues në Shqipëri, për aferën skandaloze të Kolegjit të Europës dhe jo vetëm!”, shkruan ai në “Facebook”.

Lini një Përgjigje