
Ashtu sikundër pritej, si Ilir Meta ashtu dhe Sali Berisha as nuk janë skuqur dhe as nuk janë nxirë nga kjo disfatë në zgjedhje. “Bashkë Fitojmë” pësoi disfatë në 55 bashki të venit dhe Meta e Berisha nuk e pranojnë rezultatin duke folur për farse elektorale.
Berisha ishte i pari që nuk e pranoi rezultatin. Por të njëjtën gjë ka bërë dhe aleati i tij, Ilir Meta.
Sipas tij, rezultati u manipulua nga narkoshteti.
“Zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri u asgjësuan që pa filluar. Duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke hequr komisionerët dhe numëruesit e opozitës. Duke përdorur tatimorët për presion ndaj çdo biznesi, duke kërcënuar votuesit e opozitës me gojën e kryeministrit, për pasojat që do të kishin nëse votonin për opozitën.
Por zgjedhjet u asgjësuan edhe ditën e zgjedhjeve, me zhbërjen e elementit themelor të sigurisë në zgjedhje, që ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve, duke i kthyer qendrat e votimit në vende ku u dhunua hapur ligji dhe ku u ushtrua presion i pashembullt duke u mbushur me qindra drejtorë ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë bashkie, administratorë komunash e nëpunësa gjithfarësh, përfshirë dhe policë e banditë. E gjithë kjo me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe te narkotrafikantëve, që fatkeqësisht u bënë njësh me Policinë e Shtetit”, shkruan Meta në rrejtet sociale.
Sipas tij, narkozgjedhjet i nxorën në shesh hapur të gjithë narkomanipuluesit e qeverisë, të cilët sipas tij, janë të evidentuar me emër dhe mbiemër. Megjithatë në fjalimin e tij nuk mbahet asnjë përgjegjësi për këtë rezultat turpërues, pasi në fakt ishte një votë kundër tij dhe Sali Berishës.
“Çdo veprim i tyre është evidentuar dhe mijëra fakte rëndojnë mbi ta. Euro humbi 10% të vlerës, aq shumë është përdorur ajo për të influencuar votuesit. Populli shqiptar është shumë më i madh se sa narkoqeveria dhe Demokracia e Ndryshimi që ai meriton, është i pashmangshëm. Asnjë narkozgjedhje nuk mund të mbajë peng lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve”, shkruan Meta.
Lini një Përgjigje