Dosja e zezë 6 Maj 2023, 11:19

Me kullat e mafies çfarë do ndodhë nëse Rita Ora e ka kurdisur mbrapsht orën e Edi Ramës?!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Me kullat e mafies çfarë do ndodhë nëse Rita Ora e ka
Kullat e Tiranës

 

Ora që njeriu vë majat e këmbëve në derë të zyrës dhe ajo që vë thembrat e thotë lamtumirë, nuk është asgjë, përveçse një njësi matëse...

Kur akrepat e orës së shtrenjtë “vraponin” drejt një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e mori me shaka ndalimin e ‘tik-tak’-ut.

Vuri orën tek veshi, e tundi si Fadil Hasa Radion, nuk u besoj syve kur në atë moment Prokurorët e Tribunalit të Hagës, i hoqën orën nga dora, i vunë prangat dhe e “paketuan” për rrugë të gjatë.

Kurdisja e orës mbrapsht po bëhet mode.

Kështu u ka ngjarë të gjithëve, nga Sllobodan Millosheviçi e deri tek Vladimir Putini.

Për komplikimet inxhinierike  të orës, ka mbajtur një leksion ambasadori amerikan Donald Lu para hajdutëve të drejtësisë sonë.

Pushteti dhe ora me kurdisje e kanë ndarë mendjen dhe vulosur marrëdhënien. Ora që njeriu vë majat e këmbëve në derë të zyrës dhe ajo që vë thembrat e thotë lamtumirë, nuk është asgjë, përveçse një njësi matëse.

Për të “kalibruar” orët në Sahatin e Tiranës, u “shqetësua” edhe këngëtarja me famë botërore Rita Ora.

Askush më shumë se Rita, nuk ka lidhje me orën, prandaj ja kurdisi akrepat publikisht.

Votojeni tha, se punon mirë ky.

Kjo artiste, pasa se të jetë Rita Ora, ishte Rita Sahatçija. Meqë sahati i kohës punon me elektronikë dhe pushteti matet me orë pune, me mekanizmin zemrek, ajo ndërroi mbiemrin dhe kurdisi Lali Erin që mandatin e fundit ta çojë në fund.

Artistja nuk u tremb nga akrepat, as nga “grepat” që e thumbuan nëpër media.

Po, këtej janë të tërë të kurdisur.

Me një mekanizëm robotik, ka kohë që punon Sali Berisha. Kur të tërë menduan se i pushuan “akrepat”, ai vazhdoi tik-takun e pavarur nga programimi i Edi Ramës. Vetë Babloku kërkoi asistencën e shefit të FBI-së McGonigal për një kurdisje mbrapsht të orës së kundërshtarit, por ende ajo sekondë nuk po vjen.

A vjen a nuk vjen, nuk ka siguri, pasi edhe vetë Babloku, e për dreq edhe Taip Erdogan, duket se i kanë orët e kurdisura.

Të gjithëve mund t’u pushojnë “akrepat” në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtin sekond, prandaj e kemi një merak; Me kullat e Ndrangheta’s ç’do ndodhë nëse Rita Ora ka kurdisur orën e Edi Ramës mbrapsht?!/Pamfleti

kullat mafia rita ora edi rama kurdisja mbrapsht