
Mesazhi i protestuesve nuk u drejtua vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj një opozite që shumë qytetarë nuk e shohin më si alternativë...
Në Shqipëri prej 24 ditësh mbahen protesta kundër klasës politike, ndërsa i kërkohet Kryeministrit Edi Rama të dorëhiqet. Kërkesat e protestuesve janë të panegociueshme, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka refuzuar të dorëhiqet, madje ka sfiduar mijëra qytetarë që prej 31 majit protestojnë në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Pro protestave ka reaguar grupimi politik Partia Demokratike Evropiane e drejtuar nga François Bayrou, e cila në Parlamentin Europian është pjesë e grupit qendror Renew Europe. EDP-ja përfaqëson grupimin e qendrës në politikën europiane, ndërsa promovon humanizmin, ambientalizmin, arsimin, si dhe forcimin e institucioneve demokratike të BE.
Në një deklaratë, EDP thekson se kërkesa e protestuesve është e qartë, kërkohet një ripërtëritje demokratike, duke mos pranuar riciklimin e elitave politike.
“Mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, dita e 24-t e protestës përcolli një mesazh që asnjë forcë politike nuk mund ta shpërfillë. Thirrjet e protestuesve iu drejtuan kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, por edhe opozitës, të cilën shumë qytetarë nuk e konsiderojnë më një alternativë të besueshme.
Mesazhi i protestës shkon përtej kritikës ndaj një drejtuesi të vetëm. Ai pasqyron kundërshtimin ndaj një modeli politik që, sipas protestuesve, nuk ka arritur të sigurojë mirëqenie, transparencë dhe besim publik.
Në këtë kontekst, kërkesa që vjen nga rruga është për një ripërtëritje demokratike, jo për një marrëveshje të re mes elitave politike që shumë qytetarë i konsiderojnë të konsumuara. Protestat po shprehin kërkesën për një fazë të re në jetën politike të vendit”, thuhet në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
Lini një Përgjigje