
Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se betejën për bashkimin e opozitës dhe përfundimin e sherrit, tashmë prej dy vitesh, po e bën jo për interesin e tij personal, por për të kontribuar në rrëzimin e qeverisë.
Në një intervistë për emisionin “Now”, në “Euronews Albania”, ai shtoi se komoditetin e kishte me Bashën kryetar dhe veten si numri dy i partisë, por nuk i intereson kjo përpara opozitarizmit në Shqipëri.
Bardhi tha gjithashtu se do t’i qëndrojë fjalës së tij, se nëse Berisha kandidon për kreun e PD-së apo për kryeministër ai do të ikë nga politika.
“Nuk ka asnjë ambicie në këtë drejtim, në këtë moment. Gjënë që kam bërë nuk e kam bërë për veten time, nuk e kam bërë për mua. Unë kam thënë që nëse zoti Berisha do të jetë kryetari i Partisë Demokratike dhe kandidat për kryeministër, unë nuk kandidoj më për deputet.
I qëndroj kësaj si deklarate dhe e kam shpjeguar këtë qëndrim me faktin që oferta jonë do të duhet të jetë një ofertë e besueshme për qytetarët. Po të ishte për komoditet dhe zgjidhje politike, isha shumë komod, zoti Basha kryetar partie, unë numri dy i partisë, nëse betejën do ta bëja për vete apo për mandatin tim”, u shpreh Bardhi.