
Seanca plenare e ditës së sotme ka nisur me debate mes palëve.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka kërkuar kryeparlamentares Elisa Spiropali zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për Koncensionet në Shëndetësi.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi iu drejtua Beqajt si hajdut, teksa tha se ish ministri guxoi të kërcënonte anëtarët e Komisionit, deputetët e opozitës.
Ai shprehu kërkesë edhe për hetimin e këtij rasti, teksa përsëriti thirrjen për shtyrjen e afatit, një javë për planin hetimor dhe dëshmitë, kurse 2 javë për përgatitjen e raportit.
Ndërsa, Spiropali kujtoi se afati ishte shtyrë 2 herë dhe opozita e kishte zvarritur, duke mos e lejuar dëshmitarin që të fliste. Bardhi u shpreh se Spiropali po shqetësohet se ka hall se “hajduti dy metra është Rama, por jo, e kishim për Ilir Beqajn, jo për kryeministrin”.
Diskutimi në Kuvend:
Gazment Bardhi: S’e kuptova zonja kryetare pse ju vajti mendja te Rama, kur Noka foli për zotin Beqaj si hajduti 2 metra dhe jo për kryeministrin Rama...
Elisa Spiropali: Nuk mund të përdorni foltoren për të nëpërkëmbur dinjitetin e gjithkujt, jo vetëm zotit Beqaj, nuk ka rëndësi i burgosur, i paraburgosur apo çfarëdoqoftë, s’mund të fyhet vend e pavend, ka rregullore. Nuk ka të bëjë me zotin Rama apo me zotin Beqaj, por për këdo.
Bardhi: E para zonja Spiropali, kur kolegu Noka po i referohej hajdutit dy metrosh e kishte për Beqajn, jo për kryeministrin, nuk e di pse ju vajti mendja të kryeministri. Ju zonja drejtuese e seancës nuk keni asnjë të drejtë të më ndërhyni në fjalën time.
Së dyti, meqë kujdesesh për etikën, ti zonjë duhet të jesh e shqetësuar që një person i burgosur, dje lëvizte i lirë në ambientet e Kuvendit dhe guxonte të futej në sallën e mbledhjes së komisionit dhe guxonte i pa shqetësuar të kërcënonte deputetin e opozitës.
Dje në konferencën e kryetarëve keni vendosur të mos i jepni më shumë kohë dhe pse ai komisionin nuk ka mbyllur planin. Sipas ligjit kjo do të thotë ti mohosh të drejtën për të hetuar.
Keni për detyrë ti siguroni komisionit të drejtën për të hetuar. Ju mendoni se duke penguar të drejtën e opozitës për kontroll parlamentar, një nga shqetësimet e ngritura në progres raport ishte ngushtimi i opozitës për të ushtruar të drejtën e kontrollit parlamentar. Ja ku e keni shembullin Pse nuk bëheni zëdhënëse e Kushtetutës, e ligjit dhe rregullores për t’i dhënë opozitës më shumë kohë për të vijuar punën, se deputetët e tuaj përtojnë për të punuar, ndërkohë e tyre është të rishikojnë vendimin. Ndaj ju lutem, ta rishikoni atë vendim, të keni një qëndrim sipas rregullores së kuvendit për të dënuar shantazhin që një kriminel në burg ka kërcënuar deputetë dhe të lejoni hetimin normal të komisionit.
Spiropali: Kërkesa që ka ardhur i është paraqitur konferencës së kryetarëve dhe pse nuk kishte një vendim të ndërmjetëm. Ndihem pak në faj që atë kërkesë me 7 deputetë e kam dërguar në konferencë të kryetarëve, sepse pa një vendim të ndërmjetëm nuk duhej ta kisha paraqitur. Por për hir të rëndësisë së posaçme të votimit e kam dërguar. Në fund është vendosur për mos shtyrje. Komisioni është shtyrë dy herë për të dalë në konkluzione, jo të shpërdorojë detyrën.
Sa i takon asaj se kush është kriminel, e përcakton prokuroria dhe gjykata dhe përsa dikush kohë vjen në komision dhe tregon gatishmëri për të dëshmuar, duhet ti jepet mundësia që kjo të ndodhë. Sa i përket pretendimeve të tjera, jam vënë në dijeni sot në mëngjes. Patjetër që Garda ka respektuar rregulloren, do shihen me vëmendje. Sot në mëngjes jam vënë në dijeni të kërkesës tuaj.
Gazment Bardhi: Lejojeni dispozitën dhe rregullin, s’ka asnjë dispozitë e rregull për vendim të ndërmjetëm. Afati i Komisionit është kompetencë ekskluzive e propozuesit dhe më tej Konferenca e Kryetarëve që përcakton kohëzgjatjen e Komisionit. S’ka rëndësi kush sjell çështjen, por nëse Komisioni e ka përfunduar punën e tij apo jo. Komisioni se ka përfunduar ende planin e tij të punës dhe për sa kohë s’ka përfunduar, nuk mund të ndërpritet aktiviteti hetimor. Afati ka mbaruar dje dhe ju s’i dhatë kohë Komisionit për raportin përfundimtar që t’i paraqitej seancës parlamentare. E keni vrarë Komisionin, s’e keni lejuar opozitën të bëjë punën e saj. Sot duhej të diskutohej raporti përfundimtar i Komisionit, ndaj vendimmarrja juaj është kundër ligjit, Kushtetutës dhe rregullave të Komisionit parlamentar. Mblidhni konferencën dhe zgjasni afatin e Komisionit, t’i japim edhe dy javë për raportin e një javë për hetimin, total 3 javë e të biem dakord, e të mos pengojmë punën e komisionit.
Beqaj s’e ka vullnetare ardhjen dhe përgjigjen në Komision, e ka detyrim ligjor. Ajo që ka ndodhur është se Beqaj do e japë dëshminë sipas rregullave që cakton vetë ai nga qelia, por Komisioni funksionon sipas ligjit, rregullores dhe procedurës. Të jetë në përputhje me ligjin jo sipas rregullave që cakton Ilir Beqaj, do flasi sipas rregullave të funksionimit të Kuvendit. Ai mund të ketë me vete edhe një tank me tytën drejtuar deputetëve të opozitës për t’i intimiduar, por për të dëshmuar. Nuk mund të shkosh me projektor për të dëshmuar, nuk merr pauer point e makina me letra me vete, por i nënshtrohesh procedurës, e jo rregullave që cakton ti vetë. Lejoni vijimin dhe zgjatjen e afatit me 3 javë të Komisionit Hetimor, krejt e arsyeshme për raportin, që të respektojmë Kushtetutën e republikës.
Elisa Spiropali: Duhet të respektohet rregullorja e Kuvendit, s’mund të kalohet në fyerje, ju lutem! Gjykata dhe Prokuroria caktojnë nëse një person është ajo jo fajtor dhe hajdut...
Lini një Përgjigje