TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Tetor 2025, 11:54

Berisha mbron Metën, sulmon Irena Gjokën: Delikuente, mban dosjen e Ilirit pa asnjë fakt

Shkruar nga Pamfleti

Berisha mbron Metën, sulmon Irena Gjokën: Delikuente, mban dosjen e

Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherazi edhe kreu i PD-së, u paraqit sot në SPAK në respektim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në kuadër të procesit për dosjen ‘Partizani’. Berisha ka vijuar ritualin e sulmeve dhe akuzave ndaj emrave të veçantë të SPAK dhe GJKKO-së, ku si gjithmonë tabelë qitjeje nga ish-Kryeministri janë Altin Dumani dhe Irena Gjoka.

Lidhur me gjyqtaren e GJKKO-së, Berisha tha se Gjoka ka fshehur dënimin dhe dëbimin nga Greqia për falsifikim dokumentesh dhe në kushte të tilla duhej të largohej nga sistemi.

Duke e etiketuar si delinkuente dhe me pesë mbiemra, kreu i PD-së tha se i janë drejtuar KLGJ-së për të shqyrtuar mandatin e saj, sepse sipas tij, ka një vendim të formës së prerë ndaj saj në shtetin fqinj.

“Gjoka duhej të shkarkohej që me hyrjen në fuqi të ligjit të dekriminalizimit se ka fshehur dënimin dhe dëbimin nga shteti fqinj. Atë e mbron kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokuroria e Përgjithshme dhe KLGJ”, tha Berisha.

Gjoka, sipas kreut demokrat, po përdoret si "mashë qorre" për proceset kundër opozitës.

"Së pari, në mënyrë të paligjshme vonon vendimmarrjen për konstatimin e mbarimit të mandatit meqenëse Irena Gjoka nuk mund të ishte gjykatëse kur ligji ia pengonte një personi të dënuar penalisht të mbante një funksion të tillë. Së dyti, KLGJ, Uluzi Faqja e Zezë, Altin Troplini dhe marioneta të tjera të pushtetit, zvarritën me qëllim hetimin edhe mbi çështjen e shkeljes së ligjit të dekriminalizimit nga Irena Gjoka, e cila ka fshehur dhe nuk ka deklaruar në formular as dënimin penal dhe as dy ekspulset nga Greqia me qëllim të qartë kalimin e afateve të ndjekjes penale, pra parashkrimin e veprës penale", tha Berisha.

Për Berishën, Gjoka duhet të ishte në burg për mosdeklarimin në ligjin e dekriminalizimit.

"E para është ndjekja penale kundrejt Irena Gjokës. Mosdeklarimi në formularin e dekriminalizimit është një vepër penale për të cilën ajo duhet të ishte në burg. E dyta, mosdeklarimi e vendimit penal në formularin e dekriminalizimit sjell përsëri përfundim të mandatit që në momentin kur është kryer shkelja. Kjo është një procedurë administrative, pra jo penale, për të cilat nuk vlen asnjë afat parashkrimi i kodit penal. Nuk ka nevojë për veprim verifikues kaq kompleks", shtoi ai.

Në vijim të akuzave, Berisha tha se “Irena Gjoka nuk ka pasur kriteret për të qenë gjykatëse, kjo e bën çdo procedurë gjyqësore të drejtuar prej saj, pas zgjedhjes gjykatëse në kundërshtim me ligj, procedurë të kryer nga një gjykatë jo e caktuar me ligj”.

Në këtë kuadër, kreu demokrat u shpreh se çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm, është nul sepse është marrë nga një person që nuk mund të ishte gjykatës.

“Kjo, sipas Kushtetutës, por edhe sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas precedentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Cani kundër Shqipërisë, Irena Gjoka nuk mund të jetë gjykatëse dhe proceset e ndjekura prej saj janë nul. Rikujtoj këtu se ajo mbahet në detyrë sepse ajo mban dosjen e Ilir Metës, dosje që nuk ka asnjë fakt penal, përveç vendimit hakmarrës primitiv të Edi Ramës ndaj tij”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje