Kreu demokrat Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta e 28 shkurtit do të diversifikohet sa i përket veprimtarisë dhe aksionit opozitar.
Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se e shtuna (28 shkurt) është dita e kryengritjes paqësore.
“Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën e tyre, urrejtjen e tyre ndaj hajdutëve. Dhe, do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha më e fuqishmja që ka njohur vendi.
Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë. Tani, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj. Për të gjitha do informoheni në përputhje me vendimet që do merren.
Por e shtuna është dita e triumfit të opozitës, e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët”, tha Berisha.
I pyetur lidhur me mënyrën se si duhet të zhvillohet kjo protestë, Berisha tha se sigurisht që ka ide, por para vendimeve të nevojshme për t’i quajtur ato platformë, unë nuk kam pse t’i bëj publike idetë. “Duhet të vendosen bashkërisht me bashkëpunëtorët e mi”, tha ai.
Lini një Përgjigje