Politike 3 Shkurt 2024, 18:59

Berisha thirrje socialistëve nga ballkoni: Bashkohuni në protestë kundër Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Berisha thirrje socialistëve nga ballkoni: Bashkohuni në protestë

Ish-kryeministri Sali Berisha, nga banesa e tij, ka mbajtur fjalimin e përditshëm përpara qytetarëve.

Duke folur për tubimin që zhvillohet çdo ditë poshtë banesës së tij, Berisha tha se ajo është një protestë kundër Edi Ramës që kërcënon njësoj si Enver Hoxha armiqtë e tij.

Berisha madje u ka bërë thirrje edhe socialistëve që të bashkohen në këtë protestë.

“Kjo protestë është shpresë për çdo socialist që beson se partia e tij nuk mund të ketë një zë, një votë, një njeri, Edi Ramën.

Kjo protestë është thirrje, frymëzim për çdo socialist që dëgjoi nga goja e njeriut të dytë më të fuqishëm të partisë së tyre, zëvendëskryeministrit, se si Edi Rama në kryesinë e partisë së tij do t’i përsëriste ekzakt të njëjtën frazë, të njëjtin kërcënim me kokë dhe jetë njëlloj si Enver Hoxha në Byronë Politike, armiqve të tij.

Ndaj dhe socialistë të ndershëm, e keni mision të ngriheni kundër tij”, ka thënë Berisha në fjalën e tij.

Berisha tha se demokratët janë kthyer në frymëzim për të gjithë qytetarët që të përfshihen në betejën për rikthimin e votës së lirë dhe rikthimin e pluralizmit.

sali berisha proteste partia demokratike