
Qeveria dërgon korrespodencat dhe argumentet e saj në Kushtetuese...
Beteja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt është zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese.
Më 31 tetor është seanca publike për shkarkimin e kryebashkiakut dhe pas Presidencës, sot ka dërguar argumentet me shkrim qeveria. Por ajo që bie në sy është se Edi Rama “fshihet pas gishtit”.
Edhe pse ishte vetë Rama, ai i cili udhëzoi dhe madje u bëri presion anëtarëve të këshillit bashkiak të votonin për shkarkimin e Veliajt, argumenti që ka shkuar nga qeveria është se “qeveria ka zbatuar vendimin e këshillit”.
“Nuk mund të vihet në dyshim shqetësimi këshilltarëve bashkiakë për dëmin e rëndë që i shkakton nevojave te qeverisjes së kryeqytetit dhe interesit të qytetarëve të Tiranës, mungesa e zgjatur në detyrë Kryetarit të Bashkisë. Këshilli Bashkiak ka propozuar shkarkimin, si rruga e vetme ligjërisht e mundshme në dorën e tij me qëllim fillimin e procedurave të mëtejshme, për të rikthyer normalitetin qeverisës në Bashkinë Tiranë. Ky vullnet politik dhe ligjor i përfaqësuesve të zgjedhur të Kryeqytetit nuk mund të neglizhohet dhe Këshilli i Ministrave nuk ka asnjë alternativë tjetër, veçse të finalizojë procedurën ligjore të shkarkimit”, thekson qeveria.
Po ashtu më tej qeveria ecën në të njëjtën linjë me Presidentin. Sipas saj, shkarkimi nuk është bërë sipas nenit 115 të Kushtetutës: “Kundërshtimi i vendimit në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të pezullojë efektet e tij, sepse Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për shkarkimin për shkaqe të tjera, përveç atyre të përcaktuara nga pika 1, e nenit 115, të Kushtetutës dhe shkronja “a”,e Nr.fletë: nenit 62, të ligjit nr.139/2015 dhe paraqitja e ankimit në Gjykatën Kushtetuese, në organin e gabuar për shqyrtimin e mjeteve ligjore të ankimit, nuk sjell efekte juridike. Po kështu, paraqitja e ankimit në gjykatën administrative kompetente nuk pezullon automatikisht efektet juridike të aktit”.
Me firmë të sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë, Engjëll Agaçi, Këshilli i Ministrave i ka dorëzuar Gjykatës Kushtetuese të gjithë dokumentacionin shkresor, mbi bazën e të cilit është vendosur shkarkimi i kryebashkiakut.
Lini një Përgjigje