Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka akuzuar opozitën për mungesë angazhimi në protestën e zhvilluar më 30 maj në Zvërnec, duke pretenduar se reagimi i saj erdhi vetëm pasi çështja mori vëmendje publike.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bido veçoi Lëvizjen Bashkë, ndërsa kritikoi forcat opozitare për atë që e cilësoi si përpjekje për të përfituar politikisht nga pakënaqësia e qytetarëve.
“Ku ishit ju teatri? Pse u kujtuat të nesërmen kur patë se kishit sentiment publik dhe të shfrytëzoni sentiment publik?”, tha Bido.
Deputeti socialist ngriti gjithashtu çështjen e pronësisë në zonën e Rrjollit, duke akuzuar opozitën se shmang diskutimin për pronarët e ligjshëm të tokave dhe se nuk përmend emra konkretë.
Sipas tij, opozita hesht për shkak të lidhjeve politike me biznesmenin Bashkim Ulaj, ndërsa nuk flet për familjet që pretendojnë të drejtën e pronësisë në zonë.
“Jeni të pabesueshëm! Nuk folët kur ishte për të folur, dolët dhe na bëni shoë sot! Ulaj, Ulaj, Ulaj, pse u ulët? Kur keni këtu emra, dilni flisni me emra! Fisi Moçka, fisi Balliu kanë të drejtën e pronësisë! Pse s’e thoni? Sepse s’keni guxim, sepse jeni hipokritë!”, përfundoi Bido.
Lini një Përgjigje