
Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se DEA ka hapur një linjë të re të sinjalizimit për Shqipërinë direkt me qytetarët që mund të denoncojnë personat e dyshuar për trafik.
Në lidhje me këtë, gazetarët kanë pyetur ditën e sotme ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja a është kjo lëvizje një shenjë mosbesimi te institucionet shqiptare.
Ministri i Drejtësisë thotë se nuk mendon kështu.
“Unë e konsideroj si shenjë e besimit të DEA-s me institucionet shqiptare. Bashkëpunimi deri tani me DEA-n dhe të gjitha misionet janë shenjë e fortë e bashkëpunimit.
Që në ditën e krijimit të SPAK-ut, por edhe më parë ka qenë korrekt dhe reciprok që tregon se besimi i këtyre partnerëve te institucionet shqiptare është në rritje” tha ai.
I pyetur për mungesën ekstradimeve nga Dubai të personazheve të krimit që janë fshehur atje, Manja tha se “mungon bashkëpunimi praktik me autoritetet e Dubait.
Kanë praktikat e tyre, por nuk do të reshtim së kërkuari për ekstradimin e personave të krimit që fshihen atje” deklaroi ai.
Kujtojmë se dy ditë më parë, ambasada e SHBA-së njoftoi se DEA ka hapur një linjë të re të sinjalizimit për Shqipërinë. Sipas njoftimit DEA ka vënë në dispozicion një numër telefoni për të kontaktuar në Whatsaap dhe një adresë e-maili për këdo që ka informacion në lidhje me rritjen, prodhimin, shpërndarjen e drogërave, krimin e organizuar apo pastrimin e parave të lidhura me drogën.
Lini një Përgjigje