Politike 8 Mars 2023, 13:17

Seanca për “Gërdecin”, Fatmir Mediu nuk paraqitet në gjyq

Shkruar nga Pamfleti
Seanca për “Gërdecin”, Fatmir Mediu nuk paraqitet në

Sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit do të mbahet seanca paraprake për ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun sa i takon dosjes së ‘Gërdecit’. Vetë Fatmir Mediu nuk është paraqitur, ndërsa në seancë kanë mbërritur dy avokatët  mbrojtës Ardian Visha dhe Henrik Ligori. Gjyqtarja, Irena Gjoka do të vendosë nëse do të kalojë çështjen për gjykim. Avokatët do të kërkojnë pushimin e çështjes, pasi çështja është parashkruar. Në rast se çështja nuk pushohet, avokatët do të kërkojnë gjykim të shkurtuar.

Po ashtu në gjykatë është paraqitur edhe familja Durda, Zamira dhe Feruzan Durda, të cilët humbën fëmijët e tyre vetëm 7 vjeç nga shpërthimi i Gërdecit.

SPAK kërkon që Mediu të gjykohet për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak.

Seanca paraprake drejtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do t’i kthehet pas SPAK-ut për plotësim hetimesh.

Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK. Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese.  Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.

 

gërdeci fatmir mediu