Politike12 Korrik 2023, 16:31

Debate në Këshillin e Mandateve, PD-PS përplasen për afatet; vendndodhja e Ahmetajt ende mister

Shkruar nga Pamfleti
Debate në Këshillin e Mandateve, PD-PS përplasen për afatet;
Këshilli i Mandateve

Ka nisur me debate mbledhja e Këshillit të Mandateve. Në orën 16.00 nisi mbledhja sa i takon kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj, por opozita dhe mazhoranca janë përplasur mes tyre.

Sot janë avokat e Ahmetajt ata që do të parashtrojnë mbrojtjen dhe më pas duhet të bëhet votimi nëse do të lejohet apo jo arrestimi.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka njoftuar se raporti do të shqyrtohet në seancën plenare të javës që vjen. Por kjo nuk është pranuar nga deputetët e opozitës. Gazmet Bardhi ka akuzuar mazhorancën se po e zvarrit rastin. Opozita ka kërkuar që të shqyrtohet nesër kjo çështje.

Po bashkëpunoni në krim. Mos i jeni mëshume kohë Arben Ahmetajt që të fshihet. Boll e zvarritët çështjen. Të përfshihet në rend dite të seancës plenare të ditës së nesërme dhe të japim autorizimin prokurorisë që të veprojë. Mos pengoni drejtësinë. Opozita e ka gati raportin. Të veprojmë pa asnjë vonesë, të shqyrtojmë e miratojmë nesër”, tha Bardhi.

Ndërkohë ka ende mister se ku është ish-ministri. Dje u bë e ditur nga avokatët e tij se ai ka dalë jashtë vendit. Ka aludime se ai ka ikur në Greqi, Itali apo Kanada. Mirëpo deri tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare. Vetë avokatët u pyetën mbi vendndodhjen e tij. Ata nuk dhanë detaje, por thanë se ai ka ikur për arsye familjare dhe nuk po i shmanget drejtësisë. 

Dje ishin prokurorët e SPAK që e dhanë argumentet se përse kërkojnë arrestimin e ish-ministrit, ndërsa sot është radha e avokatëve.

SPAK ka ngritur 3 akuza ndaj Ahmetajt dhe i ka kërkuar Kuvendit t’i heqë imunitetin me qëllim lejimin e kontrollit të banesës dhe arrestimin. Dje u mblodh Këshilli i Mandateve dhe pati 4 orë diskutime. Avokatët e Ahmetajt, Henrik Ligori dhe Ardian Visha kërkuan që të shtyhej për sot seanca, duke qenë se kërkuan kohë.

Sot ata do kenë mundësinë të rrëzojnë pretendimet e SPAK dhe të bindin deputetët që të mos aprovojnë arrestimin e klientit të tyre. Ndërkohë vetë ata konfirmuan dje se Ahmetaj nuk ndodhet në territorin shqiptar.

keshilli i mandateve ahmetaj