Politike 8 Korrik 2023, 07:23

Dhuna shtazarake në Krujë, Arlind Qori: Kjo është Republika e Gangsterëve, shteti nuk ekziston në Rraja-stan

Shkruar nga Pamfleti
Dhuna shtazarake në Krujë, Arlind Qori: Kjo është Republika
Arlind Qori

Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka reaguar në lidhje me sulmin e fisit Rraja të cilët dhunuan dy kushrinjtë Bilbil dhe Jashar Maja në Krujë, duke e cilësuar si ekzemplare.

Në një postim në rrjete sociale, Qori shkruan se ngjarja e ndodhur në mes të ditës e madje e filmuar nga vetë dhunuesit, nuk ishte gjë tjetër veçse për t'i dëshmuar komunitetit se padronët e zonës janë vetëm ata. Duke analizuar këto fakte të cilat u bënë publike, Arlind Qori shprehet se shteti nuk ekziston.

"Dhuna e gangsterëve Rraja ishte ekzemplare. Në mes të ditës, në kafene, e filmuar nga vetë rrahësit - për t'i treguar komunitetit se padronët e zonës janë ata. Shteti nuk ekziston në Rraja-stan. Shteti nuk ekziston në shumë stane të tjera të Shqipërisë. Shteti thjesht vendos marrëdhënie partneriteti me të zotët e staneve. Kjo është Republika e Gangsterëve.", shkruan Qori.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në Fushë-Krujë, ku anëtarë të fisit Rraja kanë dhunuar me shkopinj gome Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ulur në një lokal. “Mollë sherri” u bë protesta dhe ankesa e tyre për një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet.

 

arlind qori rraja shteti dhuna barbare