Politike21 Korrik 2023, 07:30

“Diploma 5 vite peng”/ Kuvendi miraton me 71 vota pro dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë

Shkruar nga Pamfleti
“Diploma 5 vite peng”/ Kuvendi miraton me 71 vota pro dhe asnjë
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pas mesnate projektligjin për studentët e Mjekësisë “Për trajtimin e veçantë të studenteve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Ky ligj i detyron studentët të punojnë në vendin e tyre për 5 vite dhe më pas mund të marrin diplomën.

Kuvendi e miratoi me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim. Studentët e Mjekësisë do firmosin një marrëveshje që do punojnë në Shqipëri për 5 vite pas diplomimit.

Nga ana tjetër, dje përballë Kuvendit, u zhvillua paralelisht një protestë të studentëve kundër projektligjit që i detyron ata të zgjedhin midis një kontrate 5-vjeçare me qeverinë, apo të paguajnë më shtrenjtë për arsimin e tyre.

“E duam mjekësinë si gjithë Europa”, “I duam kushtet si e gjithë Europa”, “Anuloni projektligjin, zero kompromis”, ishin disa prej thirrjeve të studentëve.

Studentët firmosën një peticion dje nga të gjitha grupet e interesit dhe kërkuan anulimin e projektligjit. Ata paralajmëruan se do ta çojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Dje gjithashtu u publikua një video ku dëgjohej ministrja Evis Kushi e cila ka thënë se “në qoftë se thoni se e meritoni ne marrim vendime dhe nuk ju pyesim fare”.

Videoja është bërë gjatë konsultimeve që ministria pretendon se ka bërë me studentët pikërisht për këtë çështje.Në video shihet ministrja e Arsimit me disa përfaqësues të tjerë, ndërsa përballë ka një grup studentësh.

Në momentin që ministrja ka deklaruar se “ne marrim vendim dhe nuk ju pyesim fare” kanë reaguar edhe studentët e pranishëm në këtë takim. Në video dëgjohet një prej studentëve që thotë “ju e keni praktikë që nuk pyesni”.

Po ashtu, Kuvendit miratoi me 69 vota pro, 3 abstenime dhe 23 kundër Projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.

kuvendi i shqipërisë projektligji për studentët e mjekësisë