
Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kujtuar sakrificën dhe guximin e të rinjve që i hapën rrugën Shqipërisë drejt demokracisë dhe Europës. Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidenti shkruan:
“Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’. Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa”, shkruan Begaj.
Presidenti Begaj thekson se aspirata europiane e shqiptarëve është e pandarë nga idealet e lirisë dhe demokracisë së atyre ditëve.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universiteteve të Tiranës ndërmorën hapin vendimtar, duke u bërë iniciatorë të protestave paqësore që çuan në përmbysjen e regjimit komunist. Të organizuar, ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke mbledhur radhëve të tyre gjithnjë e më shumë qytetarë. Brenda pak orësh, turma arriti rreth 1000 pjesëmarrës.
Me thirrjen simbolike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan pluralizëm politik, integrim europian dhe vendosjen e parimeve perëndimore të shtetit të së drejtës. Lëvizja Studentore e vitit 1990 mbetet e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi rrënjësisht historinë e vendit.
Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor, kur në takimin me Ramiz Alinë u konfirmua zyrtarisht pluralizmi politik. Menjëherë pas këtij momenti, studentët filluan organizimet për themelimin e Partisë Demokratike, duke shënuar fillimin e epokës së re politike në Shqipëri.
Ik more karavidhe, demokracine e solli urrejtja e popullit nga sundimi 45 vjecar. I gjithe populli e sidomos puntoria i rrethoi dhe i mbrojti me gjoks djemte e vajzat nga forcat e regjimit.