
Ndërprerja e financimeve nga Arabia Saudite, ka të dhëna se grupe të ndryshme muxhahidinësh po përdoren nga disa grupe politike, biznesi por edhe kriminale në Shqipëri...
Tashmë panorama po bëhet më e qartë; muxhahidinët e MEK nuk konsiderohen më një instrument për të sulmuar Iranin, apo mjet për të shantazhuar atë, por një ‘limon i shtrydhur’.
Deklarata e djeshme e një zëdhënësi “anonim” të Departamentit Amerikan të Shtetit, i konsideronte një opozitë jo rilevante.
Zëdhënësi i DASH-it gjithashtu shtoi se “SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un ‘lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian’, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzime të kryera kundër anëtarëve të tij”, thekson Radio ‘Evropa e Lirë’ në raportin e saj.
Në fakt, ishte interesante edhe sjellja e Iranit pas aksionit të policisë në Manzë. Për disa orë, portali propagandistik i Teheranit, një lloj Sputniku, por që ka faqe në gjuhën shqipe nuk shkroi asgjë.
Më pas kur u bë publik qëndrimi amerikan, portali e ka bombarduar hapësirën me lajme e analiza.
Ajo që të bie në sy në ‘Pars Today’, është se nuk ka më akuza e sulme ndaj qeverisë shqiptare, por thjesht një keqardhje zyrtare për “të keqen që e ka zënë Tiranën”.
Siç bën të ditur ‘Pars Today’, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Naser Kanani, shprehu keqardhjen e tij për Tiranën që nuk e ka kuptuar gabimin për “djallin që ka futur në shtëpi”.
“Shpresojmë që qeveria shqiptare të kompensojë gabimin e saj në pritjen e këtij grupi terrorist”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme. E që automatikisht kuptohet se kërkohet largimi i tyre nga Shqipëria. Veprim që nuk është fare i lehtë, e sipas gjasave nuk do të jetë aspak një operacion i kollajtë.
Fakt është se muxhahidinët e kanë kuptuar me kohë se janë një ‘limon i shtrydhur’, pikërisht kur për to, prej më shumë se një viti nuk ka ardhur asnjë kokërr leku. Financuesi kryesor i aktiviteteve të tyre ka qenë Arabia Saudite. Princi i kurorës, i vendit më të zhvilluar të Gjirit Persik, Muhamet Bin Selman, thuhet nga raporte inteligjente se ka derdhur çdo vit për muxhahidinët në Paris rreth 10 milionë dollarë.
Ndërkaq, Rijadi ka normalizuar thuajse totalisht marrëdhëniet me Teheranin. Të cilët kanë rivendosur edhe ambasadat, kurse vetë MBS ishte në Paris një javë më parë ku takoi Emanuel Macron.
Pikërisht, pas këtij takimi, erdhi edhe pezullimi i lejes së policisë franceze për lideren e muxhahidinëve Maryam Rajavi për tubimin në kryeqytetin francez.
Ndërkaq, Edi Rama, mësohet se ka një periudhë disa mujore që mban kontakte indirekte me autoritetet iraniane, të cilët nëpërmjet korridoreve saudite kanë furnizuar me të dhëna mbi sulmet kibernetike që muxhahidinët ushtrojnë në Iran. E njëri prej raporteve, bënte të ditur, se sulmet ndaj rrjetit kibernetik iranian prej Manzës, janë kryer duke përdorur platforma indirekte të shtetit shqiptar.
Ndërkaq, raporti i amerikaneve për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, thekson se e çara në rrjetin shqiptar është gjetur nga një rrugë komunikimi ndërmjet Shqipërisë dhe Iranit. Pra nga rruga që hapën muxhahidinët.
Duket se pas kësaj, qeveria shqiptare ka marrë vendimin të çarmatosë muxhahidinët nga armët e tyre kibernetike, për të cilat duhet thënë se janë ekspertë të nivelit të lartë.
Ndërkaq, vetë muxhahidinët, kanë nisur një sulm frontal kundër qeverisë amerikane, pas deklaratës së Departamentit të Shtetit, të transmetuar nga ‘Radio Europa e Lirë’.
Në një qëndrim zyrtar të publikuar vetëm në gjuhën angleze të Këshillit të Reziztencës së Iranit, akuzohet qeveria amerikane se po shkel sovranitetin e Iranit.
“Atyre u mungon autoriteti për të vendosur se kush përfaqëson popullin iranian. Përgjegjësia për përcaktimin se kush e përfaqëson popullin iranian i takon vetë popullit iranian në zgjedhje të lira brenda një republike demokratike. Kjo përgjegjësi lind pas përmbysjes së regjimit fetar fashist që është qetësuar nga administratat e njëpasnjëshme të Shteteve të Bashkuara për shumë vite”, theksohet në deklaratën e kupolës së muxhahidinëve.
Nga ana tjetër, mësohet se muxhahidinët, sipas marrëveshjes kanë të drejtën që të rrijnë në Shqipëri përgjithmonë. Por problem është se ata 2500 vetë nuk janë thjesht një grup azilantësh, por një ushtri e gatshme që mund të kthehen në një grup aktiv militarësh “freelance” dhe që mund të veprojnë sipas interesit momental. E me mbarimin e parave nga Arabia Saudite, ka të dhëna se grupe të ndryshme muxhahidinësh po përdoren nga disa grupe politike, biznesi por edhe kriminale në Shqipëri.
Prej kohësh, muxhahidinët janë afruar me Sali Berishën, me të cilin i përputhen interesat si të mërzitur me SHBA. E nuk është fare rastësi që kanë marrë edhe avokatët e doktorit, i cili ishte i vetmi që i mbrojti publikisht pas sulmit të policisë.
E prej dje, kur Manza u shpërthiq totalisht, anëtarët e MEK kanë dalë në një “aktivitet të lirë”, që sjell një rrezik të madh të veprimit të tyre. / Pamfleti
Lini një Përgjigje