Politike28 Nëntor 2023, 22:09

E hëna provë zjarri për SPAK, Berisha kërcënon prokurorët: Larot e Ramës do të marrin atë që meritojnë!

Shkruar nga Pamfleti
E hëna provë zjarri për SPAK, Berisha kërcënon
Sali Berisha

Edhe sot që ishte Dita e Pavarësisë, Berisha nuk ka ndalur sulmet, madje ai ka kërcënuar hapur prokurorët se do të kenë fatin e Edi Ramës. Madje ai i etiketoi si “laro” të qeverisë...

E hëna e 4 dhjetorit duket se do të jetë një ditë e vështirë si për Sali Berishën, ashtu edhe për SPAK.

Ish-kryeministri ka refuzuar të zbatojë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij. Të hënave që duhej të paraqitej në SPAK, Berisha nuk shkoi dhe avokatët u kapën te fakti se vendimi ishte ankimuar dhe nuk kishte marrë formë të prerë nga Apeli. Por Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin dhe Berisha të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duhet të jetë para oficerit të policisë gjyqësore në SPAK. Kjo do të thotë se të hënën në orën 10.00 Berisha duhet të paraqitet atje.

Ai ka deklaruar se nuk do e zbatojë vendimin, por këtë herë situata është ndryshe dhe e hëna do të jetë një provë force për SPAK. Nëse Berisha refuzon të paraqitet dhe SPAK nuk ndërmerr asnjë veprim, atëherë reforma në drejtësi bie. Po ashtu Berisha e di se nëse nuk shkon, mund të përfundojë në “arrest shtëpie” dhe duket se është vënë në lëvizje.

Edhe sot që ishte Dita e Pavarësisë, Berisha nuk ka ndalur sulmet, madje ai ka kërcënuar hapur prokurorët se do të kenë fatin e Edi Ramës. Madje ai i etiketoi si “laro” të qeverisë.

Ky ka krijuar instrumente të reja, ka krijuar drejtësi të kontrolluar aq sa e kontrollonte Enver Hoxha. Ne nuk duhet të impresionohemi nga këto. Do i trajtojmë larot e tij njëlloj si Edi Ramën. Nëqoftëse ata bëhen vegla të verbëra që shkelin Kushtetutën, që shkelin ligjet ata nuk mund të na impresionojnë ne, ata nuk mund të na frikësojnë ne, përkundrazi ata vetëm sa na motivojnë ne më shumë në betejën tonë për përmbysjen e këtij regjimi. Ndaj dhe e konsideroj jetike këtë përpjekje. Ta quajmë betejë pa kthim deri në përmbysjen kësaj narko-diktature, e këtij regjimi të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Jo ne do vazhdojmë, dhe do vazhdojmë me forcën më të madhe”, tha Berisha gjatë një takimi me demokratët në Vlorë.

Ai u ndal edhe te privatizimi i ish-kompleksit “Partizani”. Berisha këmbëngul se nuk ka asnjë shkelje. Ai vijon të shprehet se ky është një hetim politik i dirigjuar nga Rama.

Për ne nuk ka kurrsesi si të tërhiqemi edhe nuk do tërhiqemi nga një e drejtë kushtetuese e jona për ta hetuar diktatorin. Pra në këtë betejë, demokratët kanë misionin më të rëndësishëm pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Përmbysjen e kësaj diktature bande. A është e mundur? Ju garantoj që është plotësisht e mundur! Pse humbi ai ekuilibri?

Pse nxori ai privatizimin që është lege artis të një kompleksi që është absolutisht në përputhje totale me ligjin. E nxori në një moment dëshpërimi total sepse e pa që humbi kontrollin me opozitën. E pa që tani nuk gjen më paqe”, tha ai.

E hëna duket se do të jetë tani një ditë vendimtare. Ka shumë që thonë se SPAK do kërkojë arrest në shtëpie për Berishën. Mbetet të shohim nëse drejtësia do të veprojë, apo ish-kryeministri do e sfidojë dhe nuk do i ndodhë asgjë. /Pamfleti

spak berisha