3.3 milionë euro të vjedhura me dokumente: si SPAK-u e mbrojti Emiriana Sakon dhe heshti për aferën e mbetjeve në Durrës...
Një nga përplasjet e heshtura mes drejtueses së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, dhe drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, ka qenë pikërisht dosja hetimore për Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, lidhur me aferën e depozitimit të mbetjeve në Landfillin e Tiranës.
Dosja, e cila nisi si hetim nga BKH në prill 2023, tregon një skemë të qartë vjedhjeje, me dëm financiar të identifikuar në shumën prej 3.3 milionë euro, në kontratën e parë me vlerë 13.7 milionë euro me TVSH.
Skema është klasike: tenderi është zhvilluar me negociim pa shpallje dhe pa garë, me një preventiv të fryrë artificialisht me 25% mbi koston reale, duke i dhënë mundësi fitueses së paracaktuar, kompanisë “Integrated Energy Bv.Spv” të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, të përfitojë 99.8% të fondit limit.

Vetë kontrata është firmosur me urdhër politik nga lart, ndërsa kompania fituese ishte kaparosur më parë nga vetë kryetarja Sako, që prej pesë vitesh njihet si “Bejleresha e Durrësit”.
Sipas hetimit të kryer nga BKH, kontrata ishte për evadimin dhe depozitimin e 80 mijë tonëve mbetje në vit, por në realitet janë evaduar vetëm 58 mijë tonë, ndërsa pagesat janë bërë në vlerën e plotë 100%, për një sasi të parealizuar. Ajo që rëndon edhe më shumë është fakti se për kontratën e dytë shtesë, me vlerë 4 milionë euro, BKH nuk gjeti dosje tenderimi, as në Bashkinë e Durrësit dhe as në kompaninë e landfillit, vetëm fatura dhe urdhërpagesa të dërguara në Thesarin e Shtetit, e prej andej të derdhura drejt në llogaritë bankare të kompanisë së Zoto–Mërtiri.
SPAK e thirri për herë të parë në zyrë Emiriana Sakon më 17 maj 2024, më shumë se një vit pas nisjes së hetimeve. Megjithatë, pas marrjes së saj në pyetje, hetimet vazhduan edhe për disa zyrtarë të Bashkisë së Durrësit. Por, në tetor 2024, me urdhër të SPAK, grupi i hetuesve të BKH u ndalua ta çonte përpara hetimin. Dosja nuk u përmbyll dhe nuk u procedua penalisht, ndërsa statusi i Emiriana Sakos u ndryshua në “person që ka dijeni”, duke i hapur rrugë mbylljes së qetë të çështjes.
Që nga ajo kohë, pra prej 8 muajsh, dosja e Sakos qëndron në sirtar me statusin “në pritje për shkak të mungesës së provave të konfirmuara”, edhe pse provat janë mbledhur, verifikuar dhe krahasuar me të dhënat financiare. Ndërkohë, Emiriana Sako vazhdon aktivitetin me të njëjtën skemë, duke shpërndarë tenderë me vlera miliona euro dhe duke përfituar përmes kompanisë “Mektrin Motors”, që është në pronësi të bashkëshortit të saj. Kjo kompani ka marrë kontrata të majme nga bashkitë dhe institucionet e qeverisë për furnizime dhe shërbime të ndryshme.
Burime nga brenda BKH, SPAK dhe nga Bashkia Durrës konfirmojnë se ndërhyrjet për bllokimin e hetimit të kësaj dosjeje janë bërë nga një prokuror i SPAK, me origjinë nga Durrësi, që rezulton i lidhur ngushtë me bashkëshortin e kryetares Sako, një biznesmen i njohur në tregtinë e makinave, import-eksporte dhe ndërtim.
Kjo dosje është shembull tipik i asaj që ndodh kur interesat politike, lidhjet familjare dhe pazaret financiare ndërhyjnë në drejtësinë penale, duke e bërë një sistem selektiv dhe të kapur. SPAK, në vend që të veprojë mbi bazën e provave të mbledhura nga BKH, zgjedh të tërhiqet në raste të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për figura të mbrojtura nga vetë Babloku.
Kjo nuk është më vetëm një çështje penale, është një akt i qëllimshëm institucional i tolerimit të vjedhjes me dokumente në dorë, dhe një provë se askush nuk e prek dot skemën e vërtetë që shtrihet nga tenderët në Durrës deri te heshtja e SPAK-ut në Tiranë./Pamfleti
Lini një Përgjigje