TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Qershor 2025, 10:29

Erion Braçe, “skuthi” i Bablokut në gjueti shtrigash kundër mediave të pavarura

Shkruar nga Pamfleti

I emëruar kryetar komisioni për “dezinformimin”, Braçe po përdor tatimet për të marrë të dhëna kundër mediave kritike, ndërsa hesht për koncesionet ruse, mafien arabe dhe aferat e Gaz Demit e Olsi Ramës që ka firmosur vetë si ish-zv.kryeministër...

Erion Braçe, “skuthi” i Bablokut në gjueti shtrigash
Erion Braçe dhe Edi Rama /

Në profilin e tij në Facebook, deputeti Erion Braçe vijon të publikojë mesazhe, denoncime dhe komente me tone populiste e patetike për specat, domatet dhe shalqinjtë e Divjakës, që sipas tij tregtarët ua marrin lirë fermerëve dhe i shesin shtrenjtë në tregje.

Por ndërkohë që ushqehet me “dhimbje për bujqësinë”, Braçe është angazhuar në mënyrë të paligjshme për të “gërmuar” në institucionet qendrore, duke kërkuar të dhëna financiare dhe tatimore të disa mediave që i janë servirur nga Babloku me listë të gatshme, mes tyre edhe media që prekin interesat e miqve trafikantë të Braçes apo të Olsi Ramës.

Sipas informacionit të konfirmuara nga burime pranë Drejtorisë së Tatimeve, Erion Braçe po kërkon të dhëna konfidenciale për disa media përmes funksionit që mban si kryetar i komisionit të posaçëm parlamentar për dezinformimin, financimet dhe ndikimin e huaj, një strukturë që në praktikë po shërben si levë për hakmarrje ndaj mediave të pavarura.

Edhe pse pa kërkesë me shkrim, pa vendim të komisionit dhe pa miratim të anëtarëve të tjerë, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka urdhëruar drejtorin e Tatimeve, Ilir Binaj, t’i dorëzojë Braçes të dhëna fiskale për mediat e shënjestruara.

Të dhënat ekzistojnë në regjistrat zyrtarë, por mënyra se si po i përvetëson Braçe përmes Tatimeve e ekspozon një skemë që drejtohet nga vetë Rama, një gjueti e re politike ndaj mediave që nuk janë nën kontroll dhe që guxojnë të publikojnë aferat e qeverisë.

Komisioni i krijuar me bujë nga Babloku është në fakt një instrument për presion dhe intimidim mediatik, ku Braçe luan rolin e atij që grumbullon informacion për qëllime selektive dhe goditje të përzgjedhur politike.

Ditën që Rama e emëroi kryetar të komisionit, Braçe deklaroi publikisht se nuk do të përndiqte media, por do të mblidhte të dhëna për veprimtarinë e shteteve “jo mike” dhe qëllimet e tyre “malinje”.

Por sjellja e tij e mëvonshme e përgënjeshtron çdo fjalë. Aktiviteti i tij faktik dëshmon se qëllimi i komisionit nuk është as kontrolli i dezinformimit dhe as siguria kombëtare; është frikësimi dhe goditja e mediave që nuk janë blerë apo nënshtruar.

Nëse Braçe do të ishte realisht i interesuar për ndalimin e ndikimeve të huaja në Shqipëri, atëherë ai do të kishte denoncuar në Kuvend dhe kallëzuar në SPAK koncesionin 99-vjeçar që Edi Rama i dha oligarkut rus Oleg Deripaska në Divjakë, në një sipërfaqe prej 800 hektarësh tokë shtetërore, në zonën ku vetë Braçe është deputet.

Nëse e shqetësojnë vërtet financimet e zeza dhe ndikimet e huaja, do të kishte kërkuar informacion dhe do të kishte kallëzuar në SPAK burimin e të ardhurave me të cilat Gaz Demi dhe Olsi Rama ndërtuan stadiumin “Partizani” dhe kullat përreth, mbi 3.7 hektarë truall shtetëror të dhuruar me vendim të Ramës.

Po ashtu, do të kishte nisur hetimin e financimeve të pallateve dhe resorteve që po ndërton në Durrës maska e mafies arabe, Mohamed Alabaar, në një sipërfaqe prej 80 hektarësh shtetërorë në portin e vjetër të Durrësit, të dhënë me marrëveshje koncesionare në errësirë, pa transparencë dhe me investime të dyshimta.

Nëse Braçe do të kishte integritet dhe do të ndiqte me të vërtetë linjën e deklaruar, do të kishte kërkuar të dhëna për burimet financiare të dhjetëra resorteve, hoteleve, qendrave tregtare e kullave që janë ndërtuar apo janë në ndërtim, të cilat janë shpallur “investime strategjike”, shumë prej tyre të firmosura nga vetë Braçe në kohën kur ishte zv.kryeministër i Edi Ramës.

Dhe më në fund, po të ishte në të vërtetë në anën e interesit publik dhe jo të skemave të Bablokut, do të kishte ngritur alarmin për rastin më të fundit, ku vetëm pak ditë më parë, Rama i dha “statusin e investitorit strategjik” Shaban Xhabrahimit, një person i skeduar nga shërbimet inteligjente si sekser dhe “lavatriçe” financiare e oligarkëve rusë.

Sipas raporteve të SHISH dhe strukturave antikrim, investimi i Xhabrahimit në kompleksin hotelier të Borshit është financuar me para që burojnë nga klani financiar i Vladimir Putinit.

Për këto, Braçe nuk flet. Nuk bën as denoncime, as interpelanca, as postime “dhëmbshurie”. Ai e ka përqendruar misionin e vet në një rol të errët: të godasë mediat që guxojnë të përmendin këto emra dhe këto afera, në emër të një “komisioni parlamentar” që në fakt është komandë personale e Bablokut për të mbyllur gojët e pakta që kanë mbetur të lira në këtë vend./Pamfleti

erion braçe edi rama gjueti shtrigash media të pavarura

Lini një Përgjigje