
Sot nis rinumërimi i votave për Qarkun e Tiranës, ndërsa më pas procesi do të vijojë me kutitë e Fierit dhe ato të Durrësit. Në këtë të fundit do të rinumërohen vetëm 360 kuti.
Ditën e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar rinumërimin e votave për 94 qendrat e votimit te qarkut Elbasan, qe i përkasin Peqinit dhe Gramshit. Vendimet për hapjen e kutive erdhën pas kërkesave të njëpasnjëshme të opozitës, e cila nuk njeh zgjedhjet e 11 majit. Opozita ka ngritur pretendime se në 11 maj është aplikuar ‘treni bullgar’ duke deformuar vullnetin e zgjedhësve.
Nga verifikimi i kutive të Qarkut Elbasan janë konstatuar disa problematika, ku në 15 raste, fletët e votimit kishin një vulë dhe jo dy. Po ashtu u vërejt se ne disa kuti mungonin fletët e papërdorura si dhe rezultoi se ne disa raste kane votuar persona që nuk e kishin emrin në listën e zgjedhësve.
Me interes pritet numërimi i votave në Tiranë dhe Fier, dy qarqet më të mëdha, ku ka dyshime se ka trafik votash jo vetëm mes subjekteve politike, por edhe kandidatëve brenda të njëjtit subjekt.
Lini një Përgjigje