Politike11 Dhjetor 2023, 22:19

Firmat e inceneratorëve, Këlliçi: Ja pse Felaj mohoi veten për të shpëtuar Ramën

Shkruar nga Pamfleti

Firmat e inceneratorëve, Këlliçi: Ja pse Felaj mohoi veten
Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD, teksa ka komentuar aferën e incenratorëve, u shpreh se një kompanie që nuk ekzistonte e regjistruar në QKB, i janë dhënë bonus 8% të pikëve.

Ai përmend dhe shkresën e famshme të Ermonela Felajt, pasi kompania nuk ekziston.  

Ne kemi një grup të tërë ekspertësh, të cilët punojnë me këtë dosje dhe më këtë çështje dhe nuk jemi fokusuar te roli i punonjësve të thjeshtë, por e kemi marrë problemin nga koka, nga titullari i Bashkisë së Tiranës dhe nga kryeministri. Në muajin dhjetor të vitit 2016, Rama i ka dhënë bonus 8% të pikëve një kompanie përmes VKM-së 885, në datë 7 dhjetor, i ka dhënë bonus një kompanie që nuk ekzistonte. Ne jemi marrë me faktin sesi mundet kryeministri t’i japë bonusin një kompanie që nuk ekziston, madje edhe pasi është informuar nga ministri i Drejtësisë së atëhershme, Manjani se Këshilli i Ministrave nuk mund të jepte bonusin, madje edhe nga ministrja për Marrëdhënie me Parlamentin, Ermonela Felaj, e cila një muaj para se të firmosej bonusi 8 përqind e shkruan e zeza mbi të bardhë: Fatkeqësisht, pavarësisht kërkimit disa herë, si me emër shoqërie dhe me emër aksioneri, nuk kemi gjetur kompaninë të regjistruar në QKB”, tha Këlliçi.

Ai theksoi se Felaj, ish-ministre, është detyruar të mohojë veten për të mbrojtur Ramën në komisionin hetimor për inceneratorët, ndërsa tani po tenton të ndryshojë ligjin për komisionet hetimore.

Është kjo arsyeja se pse zonja Felaj ka depozituar disa amendamente për të ndryshuar ligjin për komisionet hetimore, për t’i bërë me dyer të mbyllura, për të mos qenë më transparent, që të mos kuptojë opinioni publik se çfarë ndodh. Kur kemi qenë në komision hetimor e kemi pyetur zonjën Felaj për këtë shkresë në të cilën ajo ka zbatuar ligjin dhe është tejet korrekte, por nuk e mbante mend. Ne e pyetëm në komision, a jeni ju kjo? Dhe ajo nuk kishte përgjigje. Arsyeja pse nuk kishte përgjigje është se ose ka Felaj të drejtë, ku këtu është 100% e saktë ose ka kryeministri të drejtë. Problemi ishte kaq i madh dhe situatë qesharake sa duhet të mohonte veten e saj dhe e bëri”, tha Këlliçi.