
Në kushte të tjera, ‘Foltorja2’ ndoshta mund të shërbente si një lloj katarsisi në rradhët e demokratëve, por kjo s’ka shanse të ndodhë…
Kreu demokrat Sali Berisha njoftoi nisjen e një turi takimesh me anëtarësinë e Partisë Demokratike, një proces i ngjashëm ky me atë të ‘Foltores’ që inicoi në shtator 2021 pasi Lulzim Basha e përjashtoi nga Grupi Parlamentar për shkak të sanksioneve që iu vendosën nga administrata Biden.
E ndërsa në atë kohë, Berisha nisi bashkëbisedimin me anëtarët e PD me një synim të qartë, marrjen nën kontroll të Partisë Demokratike dhe largimin e Lulzim Bashës, ‘Foltorja2’ duket se synon qetësimin e militantëve, që herë pas here i shpërthejnë në rrjetet sociale, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.
Por jo vetëm kaq! Ndoshta me rikthimin në atë që quhet baza e partisë, Berisha do të tentojë të ndalë ndoshta një rrjedhje apo shkrirje të strukturave, që përtej pakënaqësive që janë krijuar qoftë edhe me deputetët e listës së mbyllur, nuk mungojnë as ‘ofertat’ nga socialistët që herë pas here ‘peshkojnë’ në kampin opozitar.
Dhe rastet nuk janë të pakta, kur ish-deputetë apo drejtues të strukturave, kanë zgjedhur t’i bashkohen socialistëve në nivel lokal, duke pranuar oferta për vende pune, çka ndezin më pas edhe më shumë reagimet e militantëve.
Në kushte të tilla, duket se Berisha ka zgjedhur të nisë ‘Foltoren2’, ku natyrisht do të përqëndrojë shigjetat e sulmit te Edi Rama që herë e shpall armik dhe herë bën marrëveshje politike, që më pas përkthehen në ‘qoka’ për emra të caktuar, veçanërisht të lidhur me fushën e ndërtimeve.
Një ditë më parë, Berisha njoftoi nisjen e turit të takimeve në bazën e partisë, atje ku ende nuk ka nisur analiza për humbjen e 11 majit, por duket se kreu demokrat ka menduar që edhe këtë proces ta drejtojë vetë.
Në kushte të tjera, ‘Foltorja2’ ndoshta mund të shërbente si një lloj katarsisi në rradhët e demokratëve, por kjo s’ka shanse të ndodhë. Nëse Berisha do të kishte vullnet për të ndryshuar lidershipin e PD-së nuk do të kishte nevojën e mbështetjes nga militantët. Mjafton rezultati i 11 majit që të paktën drejtuesit politikë në qarqe të largoheshin, me përjashtim të dy prej tyre, Lezhës dhe Shkodrës, për të vijuar më pas me të gjithë ata që mbajnë funksionet si nënkryetarë e sekretarë në kupolën e partisë.
Berisha njofton nisjen e ‘Foltores2’ në kushtet kur shumë nga emrat që i bëri deputet në 11 maj, duke i rreshtuar në listat e sigurta, janë kthyer në ‘tabelë qitjeje’ nga vetë baza e partisë. Kreu i PD-së e ka të qartë këtë situatë, veçanërisht me klanet e formësuara nën të, që sulmojnë njëri-tjetrin ku të jetë e mundur për të fituar terren dhe fuqizuar pozicionet. Thjesht duket se Berishës i intereson ti ketë aty, mjafton që të vijojnë besnikërinë ndaj tij, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk frymëzon.
Paralelisht me këto takime në bazë të Berishës, do të nisë edhe një cikël protestash para godinës së Kryeministrisë, një format i ngjashëm me çadrën e Lulzim Bashës në 2017-ën, por me dallimin se nuk do të ketë një ngujim, por ato do të jenë javore.
Kjo do i shërbente kreut demokrat që të mbante të ndezur frymën në rradhët e tij, edhe pse prej 12 vitesh në opozitë, vështirë që mund të gjenden justifikime. Dhe kjo frymë mund t’i duhet, qoftë edhe për të protestuar para godinës së SPAK, sa herë ish-Kryeministri paraqitet për dosjen ‘Partizani’ ose mund të paraqitet për 21 janarin. /Pamfleti/
PD është e shkatërruar , dhe ashtu do ngelet sa të jetë Berisha që e mban peng për interesat e Tij Po të largohet Ai PD ka shumë shanse për.të ardhur në pushtet pasi populli nuk e do Ramën se e ka lënë më të varfërin në europë