
Sekretariati i Etikës do të vendosë sot nëse Sali Berisha, kreu i PD-së, do të dënohet deri në 60 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit, bazuar në një kërkesë të paraqitur nga socialistët, me pretendimin se ai ka artikuluar fyerje në drejtim të ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Deklaratat e Berishës kishin të bënin me një qëndrim të Gonzatos lidhur me ligjin për ‘Barazinë Gjinore’ që u miratua nga Kuvendi me votat e socialistëve, por që konsiderohet si një goditje për familjen shqiptare.
Deklarata e Berishës solli reagime edhe nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, përfshi edhe Marta Kos, Komisioneren për Zgjerimin.
Të hënën Sekretariati i Etikës do të shqyrtojë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e Taulant Ballës, që sipas tyre ofendoi dhe përdori gjuhë kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës.
Por, nisur nga numrat kjo kërkesë e PD pritet të rrëzohet, pasi anëtarët socialistë janë shumicë në komision.
Çfarë tha Berisha për Gonzaton
“Zotëri ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve. Përpjekjet tuaja për t’i imponuar standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, përveç asaj binare, edhe në statusin tënd ti je binar. Nuk merremi me ne trajtime. Ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e veta mbrapa siç ka shpjeguar jetën e tij personale. Cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore?”, u shpreh kreu demokrat Sali Berisha.
Kjo ishte deklarata që kreu demokrat e mbajti ditën që Kuvendi do të miratonte ligjin për Barazinë Gjinore dhe që u konsiderua nga socialistët si fyese.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla theksoi se deklaratat e Berishës janë në kundërshtim me kodin e etikës së Kuvendit, i cili ndalon gjuhën që nxit urrejtjen dhe sjelljet me natyrë seksuale. Ai sqaroi se është drejtuar komisionit të etikës për të kërkuar masa disiplinore ndaj Berishës. Kjo kërkesë pason deklaratën e Berishës që, sipas Ballës, ka shkelur rregullat e komunikimit dhe etikës në Kuvend.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në politikën shqiptare, duke nënkuptuar një ndarje më të thellë brenda partisë. Balla kërkon që Partia Demokratike të demonstrojë një qëndrim të qartë dhe të distancohet nga çdo deklaratë që është e papranueshme në kontekstin ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje