TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Maj 2025, 12:51

Gara e çmendur e premtimeve elektorale

Shkruar nga Pamfleti

 

Gara e çmendur e premtimeve elektorale
Edi Rama dhe Sali Berisha /

Berisha dhe Rama premtojnë miliarda euro që Shqipëria nuk i ka; ekspertët paralajmërojnë se premtimet janë të pamundura dhe vetëm për efekte elektorale...

Gjatë kësaj fushate elektorale, kryeministri Edi Rama ka shpalosur një sërë shifrash të fryra dhe të manipuluara, duke pretenduar se Shqipëria ka çmimet më të ulëta në rajon, pensione dhe paga të dyfishuara, si dhe një ulje të varfërisë e shtim të vendeve të punës. Në fakt, pensioni mesatar është vetëm 183 euro dhe jo 300 euro siç pretendon Rama. Çmimet në Shqipëri janë 2-3 herë më të larta krahasuar me rajonin dhe vendet e BE-së, asistenca sociale është 4 herë më e ulët sesa në vendet fqinje, ndërsa 300 mijë vendet e punës të pretenduara janë në të vërtetë vetëm formalizim i vendeve ekzistuese në ekonominë informale.
Përballë këtyre mashtrimeve, ish-kryeministri Sali Berisha është rikthyer me premtime të njëjta si në vitin 2005, të cilat nuk u realizuan as në atë periudhë. Premtimet e tij aktuale po perceptohen si përsëritje boshe për qëllime elektorale, pa asnjë bazë reale ekonomike.
Ekspertët ekonomikë, duke u bazuar në analizat e Bankës Botërore dhe FMN-së për vitet 2025-2030, pohojnë se këto premtime janë thjesht të parealizueshme. Ekonomia shqiptare, e rënduar nga evazioni fiskal, korrupsioni, mbyllja e bizneseve dhe emigrimi i kompanive të mëdha jashtë vendit, nuk mund ta përballojë këtë nivel shpenzimesh.
Berisha premton pagë minimale 500 euro dhe pagë mesatare 1200 euro, ndërsa aktualisht paga minimale është vetëm 400 euro pas 11 vitesh qeverisjeje socialiste. Ai gjithashtu premton minimum jetik prej 200 euro në muaj, pension minimal prej 200 euro dhe pension mesatar prej 400 euro, me rritje vjetore 20%. Për të përmbushur vetëm këto premtime nevojiten mbi 3.5 miliardë euro në vit.
Sali Berisha premton edhe rimbursim 20% të ushqimeve për pensionistët, ulje të tarifave të ujit dhe energjisë, heqjen e taksave për bizneset e reja për 3 vjet dhe subvencione të mëdha për familjet dhe fermerët. Të gjitha këto masa do ta çonin buxhetin vjetor në një total prej 16 miliardë eurosh, ndërkohë që buxheti aktual është vetëm 8.2 miliardë euro.
Në mënyrë ironike, pasanikët si Rama dhe Berisha që po bëjnë këto premtime populiste, duhet të provojnë të jetojnë të paktën një muaj me pension minimal prej 100 eurosh, ose me pensionin 200 euro që premtojnë ta realizojnë pas katër vitesh./Pamfleti

gara e çmendur premtime elektorale

Lini një Përgjigje