TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Qershor 2025, 18:38

Gaza nën zjarr: 5 të vrarë në rradhë për bukë

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

 Gaza nën zjarr: 5 të vrarë në rradhë për bukë

Gaza, një kamp përqendrimi i botës moderne...

Rreth orës 6 të mëngjesit të 8 qershorit, në zonën jugore të Gazës pranë Rafah, një tjetër episod tragjik tronditi opinionin publik ndërkombëtar: forcat izraelite hapën zjarr mbi civilë palestinezë që po prisnin për ndihma ushqimore, duke lënë të paktën 5 të vdekur dhe mbi 70 të plagosur. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë trupa të shtrirë në tokë, gra e fëmijë të përgjakur dhe sirena ambulancash që mbajnë frymën e fundit të një shoqërie që po shkon drejt shfarosjes sistematike.

Izraeli pretendon se ka qëlluar “me paralajmërim” ndaj “personave që shfaqnin sjellje kërcënuese”. Por faktet flasin ndryshe. Sipas dëshmive të mjekëve dhe organizatave humanitare ndërkombëtare, sulmi ka ardhur pa paralajmërim, mbi civilë të paarmatosur, shumica gra dhe fëmijë, që ishin në kërkim të ushqimit dhe ujit, në një nga zonat më të uritura të planetit.

Sistemi i ndihmave një maskë politike?

Që prej 27 majit, ndihmat në Gaza nuk shpërndahen më nga OKB, por nga një entitet i ri: Gaza Humanitarian Foundation (GHF), i ngritur nga Izraeli dhe SHBA. Ky “strukturim i ri humanitar” po zbatohet nën mbrojtjen e trupave izraelite dhe kontraktorëve privatë amerikanë. Në vetëm 12 ditë, ky sistem ka prodhuar mbi 115 të vrarë dhe 600 të plagosur në radhë për ushqim. A janë këto pika ndihmash apo kurthe të rrezikshme për eliminimin sistematik të civilëve?

Mjekët pa Kufij raportojnë raste ku civilët janë qëlluar me dron, nga tanke dhe helikopterë gjatë përpjekjes për të marrë një thes miell apo disa koli me ujë. Dhe ndërkohë që këto shifra rriten, komuniteti ndërkombëtar po hesht me një pasivitet që ngjan më shumë me bashkëfajësi.

Spitalet drejt kolapsit: Karburanti në pikën e fundit

Dy nga spitalet e mbetura funksionale në Gazën veriore, al-Shifa dhe al-Ahli, po përballen me mungesë totale karburanti. Nëse furnizimi nuk arrin brenda 48 orëve, sistemet e ventilimit, inkubatorët dhe sallat e operacionit do të pushojnë së funksionuari.

Drejtori i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza paralajmëroi: “Nëse nuk na sjellin karburant, po i lëmë pacientët tanë të vdesin ngadalë, në errësirë.”

Analiza gjeopolitike: Gaza si simbol i pafuqisë globale

Kjo ngjarje tragjike nuk është thjesht një incident ushtarak, por pasqyron një realitet shumë më të errët: Gaza po shndërrohet në një kamp përqendrimi modern, i menaxhuar me teknologji, burokraci dhe diplomaci cinike ndërkombëtare.

SHBA-ja po përdor "ndihmën humanitare" si mburojë morale për të justifikuar praninë dhe ndërhyrjen e saj, ndërsa OKB po e ul zërin në çdo forum diplomatik për të ruajtur status quo-në. Shqipëria dhe vendet e tjera të vogla duhet të ngrejnë zërin në forumet ndërkombëtare për të kërkuar:

Hetim të pavarur për vrasjet masive,
Rikthim të menaxhimit të ndihmave nga OKB dhe jo nga entitete të lidhura me palët ndërluftuese,
Kthimin e dinjitetit për civilët e Gazës.
Në vend të epilogut: A mund të ushqehet njeriu me frikë?

Në Gaza, buka është kthyer në luks, uji në rrezik, dhe vetë jeta në një krim pa autor. Ndërsa botës i ngel vetëm një pyetje: kush është më fajtor: ai që shkel këmbëzën, apo ata që e mbulojnë me heshtje?/Pamfleti

gaza nën zjarr

Lini një Përgjigje