TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Qershor 2025, 18:16

A do të marrë Edi Rama pjesë në dasmën e Aleks Sorosit javën e ardhshme?

Shkruar nga Pamfleti

A do të marrë Edi Rama pjesë në dasmën e Aleks Sorosit

Edi Rama mes dy zjarreve: Do mbajë krahun e Soros dhe do presë goditjen e Republikanëve, apo do tentojë sërish të luajë me dy porta?

Marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Aleks Soros do të vihet në test javën që vjen.

Që pas fitores së Trump, Rama duket sikur është distancuar nga djali i filantropit amerikan. Fillimisht u retushuan fotot, ndërsa Aleksi nuk u pa në Samitin e BE-së në Tiranë.

Por më 14 qershor, Aleks Soros do të kurorëzojë martesën e tij me Huma Abedin, ish-këshilltaren e Hillary Clinton. Ata pritet të zhvillojnë një dasmë madhështore, ku do të jenë të ftuar shumë personalitete amerikane, kryesisht nga radhët e demokratëve – pra, rivalët e Trump.

Pyetja që shtrohet është: A do të marrë pjesë Edi Rama në këtë dasmë? Në korridoret e politikës në Tiranë po flitet se Rama mund të udhëtojë javën që vjen drejt SHBA. Ka pasur shumë aludime mbi arsyet, nga çështja e emigrantëve te parada ushtarake. Por sinjalet janë se gjithçka lidhet me dasmën e Sorosit.

Padyshim që Rama e ka marrë një ftesë nga Aleksi, por nuk dihet ende zyrtarisht nëse do të shkojë apo jo.

Pak ditë më parë, Rama u krenua me faktin që ka miq Aleksin dhe Jared Kushnerin, por pjesëmarrja në një dasmë të mbushur me demokratë nuk do ta ndihmojë në raportet me Republikanët. Kjo dasmë vjen në një kohë kur ambasada e SHBA-së ka dërguar mesazhe të forta në adresë të kryeministrit.

Pamfleti’ ka raportuar më herët se marrëdhënia e dikurshme “vëllazërore” mes Ramës dhe Sorosit është kthyer në një barrë politike për Kryeministrin shqiptar. Me rikthimin e Trump, çdo afrim me Sorosin shihet si shenjë armiku. Por nga ana tjetër, mosprania do të ishte një pranim i heshtur i prishjes së lidhjes që për vite me radhë i solli atij privilegje ndërkombëtare.

Rama gjendet mes dy zjarreve: nga njëra anë, partnerët e dikurshëm si Soros që nuk guxon t’i përqafojë publikisht; nga tjetra, Trump dhe ekipi i tij që nuk i besojnë për asnjë moment. Dhe dasma e Aleks Sorosit nuk është thjesht një event privat – është një test diplomatik, një simbolikë e marrëdhënieve që dikur i shërbyen pushtetit dhe sot mund ta fundosin. /Pamfleti

Lini një Përgjigje