
Kryeministri Rama, vizitë jo zyrtare në SHBA?
Presidenti Amerikan Donald Trump ka vendosur të vërë në test liderët e rajonit, të cilët janë vënë të gjithë në rresht, kush e kush ta ketë mirë me të.
Sipas mediave ndërkombëtare, SHBA po planifikon të sjellë në rajon emigrantët që do të dëbojë, pasi shumë shtete nuk pranojnë riatdhesimin e tyre. Mediat e huaja kanë përmendur Serbinë si shtetin kryesor, por nuk përjashtohen as Kosova dhe Shqipëria, sidomos vendi ynë që ka tashmë një precedent me Italinë.
Deri më tani nuk ka asnjë qëndrim nga qeveria shqiptare nëse ka kontakte me amerikanët. Edhe DASH nuk ka dhënë shumë detaje. Dje ata folën, por pa përmendur emra shtetesh.
Por në kulmin e këtyre debateve, po qarkullojnë zëra se kryeministri Edi Rama, javën që vjen, do të niset drejt SHBA-së. Edhe pse zyrtarisht nuk kemi mundur ta verifikojmë, i pari që sinjalizoi ishte kandidati për deputet i PD-së, Lisandër Hoxha. Ai ishte i ftuar në një emision ku deklaroi: “Rama javën që vjen ka plan të udhëtojë drejt SHBA-së, por i sugjeroj që të mos e bëjë”.
I dyti është gazetari Robert Papa, i cili jeton në SHBA. Në emisionin e tij në “Fokus TV”, Papa ka deklaruar se vizita e Ramës do të bëhet më 12 qershor. Sipas tij, vizita e tij përkon me paradën ushtarake në SHBA, teksa shton se nuk planifikohen takime me zyrtarë vendas.
“Po të shikosh agjendën e presidentit Trump, atë fundjavë është në paradën e 250-vjetorit të ushtrisë amerikane. Një paradë që do të kushtojë rreth 40 milion ose 60 milion dollarë. Do të dalin dhe tanke në rrugët e Ëashingtonit. Por 250-vjetori i ushtrisë përkon me datëlindjen e Trump, 14 qershor, e cila është dhe Dita e Flamurit. Trump është 79-vjeçar. Do të jetë Rama spektator në këtë paradë, ku gjithkush mund të marrë bileta falas. Mund ta afrojë Kushnerin te tribuna e paradës. Këto janë të gjitha enigma, sepse mungesa e ftesës tregon që vizita nuk është zyrtare. Vizita është private. Shumë mirë mund të takohet me Kushnerin, që ka pazaret e vjetra, por a do të dështonte vizita e tij ashtu si dështoi ajo e Vuçiç?”, shprehet ai.
Por edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, vizita vjen në një kohë kur Trump po negocion ardhjen e emigrantëve. Mos vallë Rama po shkon atje të shfrytëzojë rastin të bëjë për vete presidentin amerikan?
Deklaratat e pak ditëve më parë nga ambasada e SHBA-së ishin shumë të forta. Ambasada nuk e uroi për zgjedhjet, teksa pati dhe mesazhe të koduara. Rama, si duket, e mori mesazhin dhe nuk është çudi t’i thotë “po” Trumpit që ta mbajë mirë me të. Nga ana tjetër, opozita dihet që nuk ka gojë të kundërshtojë, pasi Berisha e mban veten si fanatik të Trump. Duhet të presim dhe të shohim. /Pamfleti
Lini një Përgjigje