TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Shtator 2025, 10:19

“Gazpromet” e Edi Ramës, modeli i Putinit që do hajë oligarkët e vet

Shkruar nga Pamfleti
“Gazpromet” e Edi Ramës, modeli i Putinit që do hajë
Edi Rama /

Pas ujësjellësve, OSHEE-së, mbetjeve dhe naftës, Edi Rama po ndërton super-ndërmarrje publike që centralizojnë miliarda euro; një strategji për të shuar rivalët ekonomikë dhe për ta kthyer veten në kryeoligarkun e vetëm...

Edi Rama, pas mandatit të tretë, ka hyrë në një fazë të re të përshkallëzuar pushteti, duke shtetëzuar dhe centralizuar të gjitha entet e rëndësishme publike me buxhet të lartë. Pas OSHEE-së që u shtetëzua në mandatin e parë dhe koncesionit të kolaudimit të automjeteve që u shtetëzua në mandatin e dytë, oreksi për kontroll shtetëror është rritur gjithnjë e më shumë. Rama krijoi konsorciumin e gazit dhe paralajmëroi krijimin e një gjigandi publik për menaxhimin e ujësjellësve, ndonëse ekziston një ent qendror që i mbikëqyr ato. Ky ent i ri do të mbledhë të gjitha pagesat e qytetarëve për shërbimin e ujit. Së fundmi Rama ka deklaruar edhe një reformë tjetër: përqendrimin në një ndërmarrje kombëtare të gjithë përpunimit të mbetjeve, duke përfshirë landfillët, inceneratorët dhe teknologjitë e tjera, të gjitha nën të njëjtën dorë. Ai gjithashtu la të kuptohet se qeveria do të marrë në kontroll edhe shpërndarjen e naftës me pakicë, pas shtetëzimit të disa shërbimeve të tjera më parë si markimi dhe kontrolli i masave.

Këto hapa kanë krijuar disa struktura të përbindshme administrative që do të kenë në duar një sasi të madhe parash publike. Në parim, shteti ka të drejtë të kontrollojë pasuritë strategjike, por pyetja kryesore është kush e përfaqëson këtë shtet dhe kush i kontrollon këto pasuri. Në një vend demokratik me institucione të forta, ky kontroll do të ishte i balancuar nga një parlament i përfaqësuesve realë dhe jo militantëve. Modelet e rajonit, si në Kroaci apo Serbi, tregojnë se qasjet janë të ndryshme.

Kroacia si vend i BE-së ka një demokraci më përfaqësuese dhe më pak polarizuese. Presidenti Zoran Milanoviç, një socialist euroskeptik e filorus, është në pol të kundërt me kryeministrin kristiandemokrat Andrej Plenkoviç, properëndimor dhe atlantist. Dy autoritetet e zgjedhura nga populli e balancojnë njëri-tjetrin, duke krijuar ekuilibër dhe detyrim për kompromis.

Serbia, përkundrazi, është një model autoritar. Aleksandër Vuçiç kontrollon qeverinë, pushtetin vendor, parlamentin dhe ndërmarrjet publike, duke i mbushur bordet me njerëz të tij e të klanit të afërt. Ky është një model i importuar nga Putini në Rusi, i cili eliminoi oligarkët e pabindur dhe krijoi ndërmarrje “publike” që menaxhonin miliarda, duke u bërë vetë kryeoligarku i vendit. Sot Putini kontrollon pothuajse çdo aspekt të jetës së qytetarëve rusë.

Nëse kjo skemë aplikohet në një vend me më pak se 2 milionë banorë si Shqipëria, mjafton të kontrollohen tre shtresa: administrata, pensionistët dhe ndërmarrjet publike. Me këtë të ashtuquajtur reformë, nuk është çudi që mazhoranca të kërkojë zgjerimin e kontrollit edhe në sektorë ku sot dominojnë oligarkët privatë. Episodi me aeroportin e Vlorës dhe Pacollin duket si një paralajmërim për kompanitë e mëdha: të mendohen mirë përpara se të sfidojnë pushtetin e Ramës. Modelet e Rusisë apo të Lukashenkos tregojnë se ky kontroll i plotë i enteve publike nuk është gjë tjetër veçse vendosja e shtetit në shërbim të një klani të ngushtë./Pamfleti

edi rama superndëmarrje publike modeli i putinit do hajë oligarkët e vet

Lini një Përgjigje