
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, atje ku do të zhvillohet konferenca e 6-të ndërqeveritare me Bashkimin Europian dhe do të hapen 4 kapitujt e radhës në lidhje me procesin integrues.
Rama ndodhet në prani të Adea Pirdenit, ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se kanë mbetur pa hapur vetëm 5 kapituj, ndërsa ka falënderuar ekipin e BE për ndihmën e dhënë në këtë proces.
“Urime ekipit negociator dhe të gjithë shqiptarëve. Edhe unë dua të falënderoj ekipin tuaj në Shqipëri që na rri mbi kokë dhe sigurohet që nuk humbim fokusin apo të mendojmë më shumë seç duhet për veten tonë”, tha ai.
Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE i kushtohet grupkapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.

Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit. Konferenca Ndërqeveritare pritet të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është planifikuar rreth orës 09:15 pasuar nga mbledhja e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në orën 10:00.

Në fund do të ketë disa fjalime të shkurtra përmbyllëse nga delegacioni i BE-së, ministrja e Danimarkës, Marie Bjerre dhe Komisionerja Marta Kos, si dhe nga kryeministri Rama. Shqipëria ka çelur deri më tani 4 nga 6 grupkapituj, të ashtuquajturin “Themeloret”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregun e Brendshëm” si dhe “Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse”.
Lini një Përgjigje