
Partia Demokratike, përmes deputetit të zgjedhur Klevis Balliu, ka denoncuar gjendjen e rëndë të sigurisë publike në vend, konkretisht në qytetin e Shkodrës.
Në një deklaratë për mediat, Balliu tha se qyteti dikur simbol i kulturës, i qytetarisë, i humorit dhe i biçikletave, është shndërruar nga Edi Rama në kryeqendrën e krimit të organizuar.
“Vetëm dy ditë pas vrasjes së Kristian Kolës në mes të qytetit dhe dhjetë ditë pas vrasjes së Piro Prronit, Shkodra u trondit nga një tjetër masakër me të vrarë dhe të plagosur. Shënjestra e autorëve këtë herë ka qenë Erogen Vaso (Brajoviq) vëllai i Denis Brajoviq, “doraci”-t të Pëllumb Gjokës, “Investitorit strategjik” të Edi Ramës. Emri i Denis Brajoviq ka dalë në përgjimet e Sky ECC teksa kryente vrasje për llogari të Gjokës.
Duhet theksuar se Erogen Vaso, (Brajoviq) një ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, është i njohur për lidhjet e tij me grupin kriminal Bajri. Vetë Vaso sipas raportimeve mediatike, ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Nga kjo ngjarje e përgjakshme humbën jetën Armando Pali, punonjës i IMT, Geridon Kraja, shoferi i Erogen Vasos dhe u plagos një punonjëse e lokalit, shtetasja M.K., 25 vjeçe”, tha Balliu.
Ai tha se kjo situatë është alarmante dhe rrezikon jetën e çdo shqiptari.
“Kjo situatë kërkon ndërgjegje kombëtare dhe përballje të vendosur me këtë qeveri kriminale, me çdo mjet demokratik, në mbrojtje të vendit dhe të familjeve.
Partia Demokratike do të vazhdojë betejën kundër mafies dhe narkopushtetit.
Ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë të bashkohen në këtë betejë të përbashkët kundër së keqes”, tha ai.
Lini një Përgjigje