Dy nga aftësitë më të mëdha të kandidatit për ambasador janë anti-terrorizmi dhe misionet e stabilizimit në raste tensionesh
Presidenti amerikan Donald Trump i ka propozuar Senatit emrin e një gjenerali-lejtnant për pozicionin e ambasadorit të SHBA në Shqipëri.
Tashmë i takon Senatit që të vendosë nëse Eric Wendt, i pensionuar nga forcat aktive të ushtrisë amerikane prej vitit 2021, do të shërbejë ose jo në një tjetër drejtim, atë të diplomacisë.
Emri i Eric Wendt mund të konsiderohet një surprizë sa i takon Shqipërisë dhe nga të gjithë ambasadorët e nominuar dhe të zyrtarizuar për pozicionin e Ambasadorit në Tiranë, ai është i vetmi që vjen nga fusha e ushtrisë, aq më tepër me gradën madhore gjeneral lejtnant.
Të gjithë ambasadorët e mëparshëm që kanë shërbyer në Shqipëri ose janë nominuar kanë qenë pjesë e shërbimit diplomatik, një pjesë e konsiderueshme me grada apo funksione të ulëta, që e kanë marrë titullin Ambasador për herë të parë pas emërimit në Tiranë. Edhe Wendt nëse miratohet nga Senati do të ketë eksperiencën e parë si Ambasador në Shqipëri, ndërsa një nominim i mëparshëm i tij për të drejtuar misionin amerikan në Katar nuk arriti të finalizohej nga administrate Biden.
Wendt për 34 vite ka shërbyer në forcat ushtarake amerikane, një nga beretat jeshile, i specializuar në luftën ndaj terrorizmit dhe në misione stabilizimi në zona të ndryshme të botës. Duket se këto dy aftësi, por edhe mësimi i gjuhëve të huaja, përbëjnë armët më të forta të gjeneral lejtnantit amerikan, që nëse merr miratimin e Senatit, do të drejtojë Ambasadën e SHBA në Tiranë.
Referuar eksperincës së Wendt dhe seminareve trajnuese që ai është angazhuar për forcat e sigurisë, gjeneral lejtnanti në pension i ka kushtuar një rëndësi të veçantë për zgjidhjen e situatave të tensionuara, pikërisht njohjes së gjuhëve të huaja, veçanërisht në zona që konsiderohen si “të rrezikshme” ose me nivel të lartë rreziku.
Por pse duhej që Presidenti amerikan, që ka të drejtën ekskluzive për të propozuar apo miratuar ambasadorët e SHBA kudo në Botë, të propozonte për Shqipërinë një ushtarak të një niveli shumë të lartë?
Ndoshta zhvillimet gjeopolitike janë arsyeja kryesore. Shqipëria është pjesë e Ballkanit, një rajoni që konsiderohet prej kohësh si ‘lakmues’ për interesa të Kinës dhe Rusisë, që në periudha dhe kohë të ndryshme kanë shtrirë influencat e tyre në shtete të caktuara, qoftë për shkak të linjave politike, ashtu edhe investimeve gjigande.
Gjithashtu propozimi i tij vjen në një kohë kur përplasjet me Iranin kanë arritur kulmin, ndërsa Shqipëria ka qenë disa herë objektiv i sulmeve kibernetike nga grupe të lidhura me Teheranin, sipas raportimeve zyrtare nga institucionet shqiptare. Dhe po kështu periudha kur propozohet një gjeneral-lejtnant në pension si ambasador në Shqipëri karakterizohet nga një përplasje e Trump me NATO-n, për shkak të qëndrimit që shumë prej anëtarëve potencialë të Aleancës, kanë mbajtur në raport me luftën në Iran, duke mos u përfshirë në konflikt.
Në kushte të tilla se emërimi nga Trump i gjeneral-lejtnant Eric Wendt në një pozicion Ambasadori në Tiranë më shumë se me zhvillimet e brendshme në Shqipëri, mund të ketë lidhje pikërisht me gjeopolitikën, por edhe me një kthim vëmendjeje, ndoshta në nivel shumë të lartë, të administratës amerikane nga Rajoni. Prej kohësh, Ambasada e SHBA në Tiranë ka mbajtur një profil të ulët në raport me zhvillimet e brendshme politike, një ndryshim kursi i dukshëm në raport me kohën kur ambasadore në Tiranë ishte Yuri Kim, e zgjedhur nga Trump, por e mbështetur nga administrate Biden.
Dhe ndoshta profili i ulët në raport me zhvillimet e brendshme do të vijojë të mbetet i tillë edhe nëse Wendt do të marrë besimin e Senatit si ambasador në Shqipëri, por kjo nuk mund të thuhet në raport me zhvillimet gjeopolitike, ku ai është i specializuar, jo thjesht si një “personazh aksioni”, por për analizimin në kohën e duhur të çdo situate që kalon politikën e brendshme.
Momentalisht Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja nuk kanë ambasadorë amerikanë të emëruar, teksa selitë diplomatike drejtohen ose nga shefa misionesh ose nga të ngarkuar me punë, si në rastin e Tiranës.
Dhe nominimi i Wendt, në pritje të miratimit nga Senati, çel serinë e ‘mbushjes së boshllëkut’ të krijuar prej kohësh në të gjithë vendet e Rajonit. Gjenerali Lejtnant në pension për shkak të funksioneve ushtarake, është një njohës shumë i mirë i sigurisë, anti-terrorit, por edhe stabilizimit të situatave të caktuara.
Në vitin 2001, kohën e sulmit terrorist ndaj Kullave Binjake, Wendt u angazhua në misione anti-terrori, madje duke u dekoruar. Por ai është angazhuar gjithashtu, si pjesë e “beretave jeshile’ në misione stabilizuese në rajone të veçanta të Botës, sikundër ka shërbyer si Koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez.
Shqipëria është një nga vendet anëtare të Bordit të Paqes, ashtu si edhe Kosova, dhe referuar eksperiencës dhe specializimit të gjeneral-lejtnantit në pension, misioni i tij diplomatik, do të ketë në vëmendje edhe këtë fushë.
Në kohën kur ka drejtuar Komandën Operacioneve Speciale të NATO-s ai ka zhvilluar një vizitë në Maqedoninë e Veriut, një prej vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut, ku edhe ka drejtuar një nga stërvitjet e përbashkëta mes ushtrisë maqedonase dhe trupave të NATO-s.
Kjo ka qenë vizita e vetme e gjeneral-lejtnantit amerikan, të paktën sipas njoftimeve të hapura dhe zyrtare, në rajonin e Ballkanit. Ndërkohë prej dy vitesh në Shqipëri është inauguruar baza e NATO-s në Kuçovë, e cila është e vetmja bazë ajrore taktike e Aleancës në Rajonin e Ballkanit. /Pamfleti/
Pse ? Bazat amerikane qe do perzihen nga vendet Europiane dhe arabe do perqendrohen ne Shqipëri. Më shansin e mirë qe ne rast te nje luftë te lll te jemi poligon atomik.